Strehimi social – Kërkohet thjeshtim procedurash dhe zgjerim i përfituesve
Duhet të thjeshtohen procedurat dhe dokumentacioni për të përfituar nga skema e strehimit social.
Kjo ishte thuajse kërkesa e përmbledhur e gjithë grupeve të interesit që u dëgjuan në një seancë të posaçme në Komisionin parlamentar të Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë. Klaudio Pulaha, përfaqësues i “Shtëpisë për të drejtat e njeriut”, u shpreh se gjithashtu duhet të përcaktohet në aktet nënligjore edhe e drejta e ankimimit të vendimit.
Ndërsa deputete e PS, Eglantina Gjermeni, e cila ka qenë ministër e Zhvillimit Urban, në kohën kur është hartuar ky ligj, u shpreh, se janë marrë eksperiencat e vendeve më të zhvilluara dhe janë përfshirë të gjitha kategoritë e shtresave në nevojë.
Sipas relacionit të projektligjit, përcaktohet nxjerrja e 33 akteve nënligjore, 21 vendimeve të Këshillit të Ministrave dhe 12 udhëzimeve.
Ky projektligj synon krijimin e mundësive për strehim të përshtatshëm dhe të përballueshëm, për një jetesë të sigurt, duke u mbështetur në aftësitë paguese të individëve dhe familjeve që kanë nevojë për strehim dhe që kanë nevojë për ndihmën e shtetit.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.