Studim/ Si po e ndryshon sjelljen e konsumatorit për blerjet online, emergjenca e COVID – 19?
Shqetësimet në rritje për shpërthimin e pandemisë së koronavirusit po ndikojnë veçanërisht në sjelljen e konsumatorit online, sipas të dhënave të Adobe Analytics, i cili monitoron transaksionet e tregtisë online të afro 100 shitësve më të mirë në Shtetet e Bashkuara.
Në një kohë që koronavirusi po dëmton shitësit me pakicë, ka të tjerë që kanë pasur rritje të shitjeve në internet, nga ankthi për shkak të koronavirusit.
“Ne kemi parë foto dhe dëshmi se si duken raftet e dyqaneve, ndërsa njerëzit përgatiten për më të keqen. Dyqanet kanë mbaruar produktet themelore si letrat higjienike, dezinfektantët e duarve. Ndërkohë që njerëzit kanë shmangur tubimet publike, ata janë orientuar drejt blerjeve në internet” u shpreh Nate Smith, menaxher i grupit të marketingut të produkteve për Adobe Analytics.
Ekspertët mjekësorë po i inkurajojnë amerikanët të ndërmarrin veprime për të mbajtur “duart e pastra”, si dhe larg fytyrës. Sipas të dhënave të Adobe-it, blerjet e dorezave, maskave, apo spërkatësve antibakterial janë rritur me 817%.
Analiza e transaksioneve në e-Commerce nga Adobe, zbuloi gjithashtu se blerjet për produkte të ftohjes, kollës dhe gripit janë rritur 198%, ndërsa blerjet në internet për qetësuesit e dhimbjeve janë rritur me 152%.
Nga ana tjetër, blerjet në internet për letra higjienike janë rritur me 186%, sipas po këtyre të dhënave. Përsa i përket ushqimeve të konservuara dhe produkteve të rafteve, ato janë rritur me përafërsisht me 70%.
“Përmbushja e nevojave kritike dhe pritshmërive të klientëve në një kohë si kjo është e domosdoshme, pasi mund të krijojë apo të shkatërrojë markën tuaj” u shpreh Smith më tej. /adobeblog/
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.