Studimi/Goditja pandemike e biznesit
Kriza që përfshiu ekonominë shqiptare prej pandemisë së koronavirusit, ende nuk ka shifra në Shqipëri. Deri para pak javësh, kur Shqipëria ende nuk ka rregjistruar pikun e sëmundjes fatale, nuk kishte asnjë studim, asnjë analizë sasiore, asnjë investigim, që të jepte një pasqyrë të plotë të asaj që ka ndodhur në ekonomi.
Këtë nuk e kanë bërë as institucionet shtetërore,-në tërësinë e tyre, – duke u mjaftuar vetëm më të dhënat statistikore të raportuara në agjencitë e zbatimit të ligjit, siç janë tatimet, doganat dhe inspektoriatet e punës. Nuk ka një studim tërësor as nga biznesi dhe shoqatat përfaqësuese të tij, që të tregojë shkallën e prekjes së sektorëve kryesorë të ekonomisë, apo të sektorëve lehtësisht të cënueshëm.
Ashtu sikundër nuk ka as një qëndrim të përbashkët të biznesit lidhur me krizën dhe efektet e saj mbi ekonominë në tërësi. Është aq shumë e diversifikuar panorama e biznesit dhe e qasjes së tij ndaj krizës pandemikë, saqë goditja “pandemike” që ka prekur globin, tek ne shihet në këndvështrime që nuk përngjasin aspak me gjetjet që identifikohen në shtetet e rajonit apo më gjerë. Së fundi, Fondacioni “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, ka realizuar studimin e parë për t’iu qasur ndikimit të pandemisë në sektorët kryesorë të sipërmarrjes.
Disa gjetje kryesore të këtij studimi janë të përfshira në këtë artikull.
Sektorët e “sëmurë”
Autoriteteve publike dhe përfaqësuesit e biznesit vlerësojnë (jo nëpërmjet studimeve efektive) se turizmi, rregjimi i përpunimit aktiv (fasoneria) dhe shërbimet janë sektorët më të prekur nga pandemia globale.
Pra, pandemia është një nga faktorët e ‘MPOSHTJES’ së performancës pozitive në rritje, për gjithë sektorët e biznesit në vend, e në veçanti edhe për sektorin e fasonerisë dhe eksportit.
Qeveria, në fazën e parë të epidemisë, kërkoi të mbështeste dhe mbështeti sektorët e mësipërm, pa i referuar ndonjë të dhëne statistikore apo analize sektoriale, mbi të cilën të ngriheshin skenaret e ndihmës sociale apo të të ashtuquajturave “paketa të ndihmës“ qeveritare.
Në paketat sociale u përfshi pagesa e pagës sociale për rreth 230 mijë të punësuar të sektorëve të ndryshëm, të cilëve iu ishte mbyllur biznesi me akt ligjor, ose kishin shënuar reduktim të kontratave apo porosive të biznesit. Pjesë e ndihmës ishin edhe mbështetjet për likuiditet të sipërmarrjeve nga dy garancitë sovranë që ofroi shteti. Por le të flasim më pas për to!
Në këtë analizë, ne po i referohemi sektorit ndjeshëm të dëmtuar nga pandemia, atij të rregjimit të përpunimit aktiv, i cili edhe pse nuk u mbyll me vendim administrativ, mbetet sektori që ka pësuar një goditje drastike nga shkalla e prekjes së ekonomisë nga COVID-19.
Sektori i tekstileve dhe këpucëve është punëdhënësit më i madh i industrisë përpunuese, me rreth 55 mijë persona të punësuar, ose 52% e totalit prej 106 mijë të punësuar. Në ekonomi, pesha e sektorit është 6%. Industria e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve përfshin rreth 700 fabrika dhe sipërmarrje aktive në vend, të mëdha, të mesme dhe të vogla.
Ndërsa në vitin 2019, industria e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve siguronte 40 % të totalit të 2,1 miliardë euro eksporte të Shqipërisë, ose mbi 800 milionë euro, në periudhën janar-shtator 2020, kjo industri eksportoi vetëm 75 miliardë lekë, nga 90 miliardë lekë që kishte eksportuar në periudhën janar-shtator, ose 122 milionë euro më pak, – sipas të dhënave të INSTAT.
Në fazën e parë të prekjes nga kjo sëmundje fatale, fasoneria, sipas deklarimeve të biznesit, nuk tentoi të largonte nga rregjistri i të punësuarëve një numër të madh të punëmarrësve. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, numri i punonjësve të fasonerive, të larguar nga rregjistri i punëmarrësve, ka qënë minimal. Numri i përgjithshëm i të papunëve nga COVID-19 për të gjithë sektorët, u raportua jo më shumë se 27 mijë të tillë.
Shifrat ishin kontradiktore dhe nuk ka pasur asnjëherë transparencë në këtë fushë.
Vetë shoqatat e biznesit të fasonerive që janë më shumë se katër të tilla, nuk kishin një shifër sasiore të rakorduar mes tyre. Bashkimi Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, (BDHTI) që përfshinte edhe një numër jo shumë të konsiderueshëm të biznesve të këtij sektori, (historikisht sektori i rregjimit të përpunimit aktiv nuk ka qënë pjesë e shoqatave publike të biznesit) deklaronte jo më pak se 60 mijë të papunë nga pandemia dhe një perspektive të frikshme prej 300 mijë punonjësish të larguar nga rregjistri i punës (Të dhënat janë raportuar në një letër që BDHTI i ka dërguar kryeministrit shqiptar).
Në ndërkohë që, njëra nga shoqatat e fasonerisë (ProEksport Albania) deklaronte se janë plot 22 mijë punonjës të këtij sektori që janë larguar nga puna.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, numri total i punonjësve të këtij sektori ështe 55 mijë të punësuar, ndërsa shoqata në fjalë deklaron se ka të rregjistruar rreth 70 mijë punonjës. Shoqata të tjera (Dhoma e Fasonistëve të Shqipërisë, Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve, Unioni i Fasonistëve të Shqipërisë) kanë deklaruar se kanë të punësuar mbi 100 mijë punonjës.
Pavarësisht këtyre shifrave kontradiktore, duhet përmendur se sektori është prekur jo vetëm nga humbja e vendeve të punës, por sidomos nga rënia e produktivitetit, e shoqëruar me rënien e ndjeshme të prodhimit për eksport. “ProEksport Albania“ (PEA) thotë se prodhimi ka rënë 65 për qind, por nuk ka asnjë tregues të deklaruar se si është matur kjo rënie dhe cila është metodologjia e përdorur, po të gjykosh se anëtarësia e saj nuk përfshin tërësisht sektorin prej afro 700 ndërmarrjesh në rang republike (PEA ka realizuar, sipas saj, një sondazh me vetëm 100 kompani fasoniste).
Sipas INSTAT, për 10-mujorin e këtij viti, eksportet e tekstileve e këpucëve ranë me gati 15%, duke shënuar ecurinë më negative në vlerë nga gjithë grupet e tjera dhe duke ndikuar në gjysmën e rënies për periudhën janar-shtator.
“Lufta“ për ringritjen e vështirë
Ndërmarrjet e fasonit janë vënë në lëvizje për të mbijetuar, duke u përshtatur me kërkesën e re të pandemisë, mirëpo kontratat e reja janë të pamjaftueshme për të mbuluar rënien e menjëhershme me mbi 40-50% ,të krijuar në karantinë gjatë pranverës. Ky është deklarimi i përfaqësuesve të tyre, që duhet marrë me rezervë për shkak të faktit se nuk ka një studim sektoral për këtë tregues dhe as një shifër zyrtare.
Vijimi i pandemisë deri në këto momente, i detyroi sipërmarrësit të diversifikonin tipologjinë e prodhimeve të tyre, që u diktuar nga disa faktorë. Faktori më i njohur është ai i tjetërsimit të porosive nga partnerët ekzistues ndërkombëtarë të ndërmarrjeve shqiptare, të cilat iu përgjigjën këtyre partnerëve duke prodhuar veshje mjekësore të sipërme dhe të poshtme, apo edhe mbrojtëse johigjenike të gojës (maska). Shoqatat e këtyre biznesve raportojnë se, janë më shumë se 35 për qind e ndërmarrjeve të listuara, që diversifikuan prodhimin e tyre, të destinuar sigurisht për jashtë vendit (eksport).
Shoqata PEA tha ndërkohë që 80 % e sipërmarrjeve fasone nuk kanë një kontratë të re. Sipas ekspertëve të këtij sektori,“nga të dhënat që shoqatat simotra iu kanë ofruar, është shënuar rënie të shitjeve në dyqane (Italia 58%, Gjermania 45%, Spanja 43%), që, e përkthyer në sasi prodhuese dhe eksportuese, arrin në gati 65% të zërit rieskporte të sektorit”.
Një faktor i dytë që ndikoi në mbijetesën e kompanive të rregjimit të përpunimit aktiv është ai që pasoi një vendim të rëndësishëm të qeverisë, nr.343, datë 27.04.2020 “Për përcaktimin e autoriteteve kontraktore që do të prokurojnë, me procedurë me negociim pa shpallje, mallra ose shërbime të nevojshme për përballimin e situatës së shkatuar nga COVID -19”, sipas të cilit, kompanitë, të cilat kanë shprehur disponibilitetin për mallra/shërbime të leverdisshme, për një kohë lëvrimi shumë të shkurtër, ose për raste veçanërisht të leverdisshme, që paraqiten në një kohë shumë të shkurtër dhe me një çmim më të ulët se çmimet normale të tregut, (për përballimin e situatës së krijuar nga epidemia e shkaktuar nga COVID-19, gjatë gjithë kohëzgjatjes së saj), janë pjesë e Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruara dhe prodhojnë e shesin për të. Më shumë se 50 kompani u listuan në këtë proces, por numri i kompanie që prodhuan për shtetin shqiptar ishte shumë herë më i madh (për shkak të lidhjeve kontraktore që u realizuan).
Të dyja këto mundësi ndikuan në mbajtjen “në këmbë“ të fasonerisë, e cila, më pas, u godit nga mungesa e dukshme e kontratave të reja për të vijuar prodhimin, por edhe nga gjendja stok e prodhimeve, që nuk arritën të shkojnë në rieksport.
Mbyllja në shumicën e vendeve të BE-së, rrezikon t‘i çojë në faliment fabrikat shqiptare të fasonit. PEA thotë se “37% e fabrikave përshtatën ciklin e prodhimit për veshje mjekësore“. Disa kompani kanë lidhur kontrata edhe për eksport veshjesh mjekësore me SHBA dhe furnizim me këpucë për Japoninë.
Por kompani të tjera, për shkak të madhësisë, e kanë konsideruar të pamundur diversifikimin e prodhimit, për shkak të kostove fillestare në teknologji. PEA i ka kërkuar ndihmë qeverisë të ndihmojë me kapital për investime për rinovimin e teknologjisë dhe për importimin e pajisjeve ndihmëse për rritjen e kapaciteteve, por nuk ka marrë përgjigje.
“Për t’u adaptuar dhe për të qenë të gatshëm, fasonet duhet të diversifikojnë makinerinë. Kjo kërkon një shtim të linjës së prodhimit që për kostot që ka është i papërballueshëm, pa ndërhyrjen e qeverisë”- tha kryetari i kësaj shoqate biznesi.
Pjesa dërrmuese, rreth 61.4% nga 100 kompanitë e pyetura në anketë, deklarojnë se po punojnë aktualisht me kapacitete të reduktuara, rreth 88.5% deklarojnë një ndikim shumë negativ të COVID-19, teksa pritshmëritë për të ardhmen janë pesimiste, pasi rreth gjysma e kompanive s’kanë kontrata të qarta me klientët.
Sipas burimeve nga tregu, vetëm në tre muaj sektori fason në Shqipëri ka pësuar një humbje prej 130 milionë eurosh. Shifra nuk konfirmohet nga të dhënat zyrtare të rieksporteve!
Fabrikat e tekstilit e kishin më të lehtë për t’iu përshtatur kërkesës së re të pandemisë, pasi nuk nevojiteshim shumë investime në makineri dhe teknologji për të prodhuar në vend të veshjeve maska, por për fabrikat e këpucëve, përshtatja ka qenë më e vështirë. Investimi në makineri dhe mungesa e aftësive të punonjësve për të përpunuar tekstilin ka penguar fabrikat e këpucëve të kapin kërkesën e re.
Ndërsa përfaqësuesit e shoqatave të tjera thonë se, pjesa më e madhe e fabrikave të prodhimit të veshjeve dhe këpucëve ka punuar me gjysmën e kapacitetit dhe po kërkojnë diversifikimin e prodhimit dhe gjetjen e partnerëve të rinj tregtarë, duke u zhvendosur nga monopoli i Italisë.
Sipas INSTAT, gjatë 10-mujorit, 75% e eksporteve të fasonit shkuan në Itali. Kjo peshë, në të njëjtën periudhë gjatë vitit 2019 ishte 78%.
Diversifikimi dhe ndryshimi i tipologjisë së prodhimit për rieksport dhe plotësimin e nevojave brenda vendit, pati sukses në fazën e parë të pandemisë. Më pas, përfaqësuesit e shoqatave të biznesit thonë se jo vetëm sistemi shëndetësor në Europë u mbingop me këto furnizime dhe nuk kishte më kërkesë, por edhe klientët ndërkombëtare të fasonistëve raportuan reduktim të porosive, për sa kohë që parashikimet për zgjatjen e pandemisë nuk ishin të qarta.
Studimet e Bashkimit Europian parashikojnë se, për shkak të shkëputjes në aktivitetet e tregtisë, prodhimit dhe shitjes me pakicë, të ndjekura nga një krizë e madhe ekonomike, të ardhurat e industrisë së tekstilit dhe veshjeve do të pësojnë rënie 19% në vitin 2020, teksa PBB e Eurozonës pritet të ulet me 9%.
Këto studime nënvizojnë se prodhimi në sektorin e tekstilit dhe veshjeve, si dhe shitja me pakicë e tyre do të rikuperohet më vështirë se aktivitete e tjera të prodhimit, për shkak se tekstilet industriale janë mallra të ndërmjetëm dhe konsumi i tyre është më pak i domosdoshëm në kohë krizash.
Pandemia dhe qeveria
Efektet në punësim në sektorin fason u zbutën disi nga masat mbështetëse të qeverisë dhe politikat individuale të kompanive, por zgjatja pa afat e pandemisë dhe mungesa e paketave specifike të ndihmës janë një risk potencial.
Nga të dhënat e një ankete të realizuar nga “ProExport Albania”, rezulton se mbi 57% e kompanive që ushtrojnë aktivitetin në këtë sektor janë në krizë likuiditeti dhe nuk arrijnë dot të shlyejnë detyrimet tatimore dhe pagat e punonjësve. Po përballemi me krizë likuiditeti në këtë moment. Zbatimi i masave anti-covid na ka rritur kostot ndjeshëm”,- i tha mediave Edvin Prençe i shoqatës së mësipërme.
Shoqatat përfaqësuese të fasonerisë kanë përfituar “pagën e luftës” (prej tre pagesash të njëpasnjëshme në shumën 13 mijë lekë për periudhën mars, prill, maj 2020) për të gjithë punonjësit që u detyruan t’i largojnë nga puna, edhe pse akti normativ nuk kërkonte mbylljen e ndërmarrjeve të tyre. Nuk ka një shifër specifike të përfituesve për këtë fazë.
Në një fazë të dytë u paguan edhe punonjësit që nuk ishin përfshirë në paketën e parë e ndihmës sociale me shumën 40 mijë lekë për tre muaj. Qeveria ofroi si mbështetje edhe dy kredi me garanci sovrane me kushte, sipas saj, favirizuese. Por, sipas studimit të Fondacionit “Shoqëria e Hapur për Shqiupërinë”, të pyetur se si e kanë vlerësuar bizneset mbështetjen e përfituar nga dy paketat e qeverisë, “49.6% e të intervistuarve u shprehën se paketat nuk kishin qenë aspak ndihmuese, 47% i vlerësuan si disi ndihmuese dhe 3.4% e tyre i cilësuan si shumë ndihmuese”.
Burime nga shoqatat e biznesit kanë deklaruar se fasonët kërkuan gjithashtu zgjerimin e programeve të ripunësimit, si dhe një garanci të tretë sovrane për pagat.
Sipas PEA, “mbi 50 për qind e subjekteve kanë aplikuar për garancinë sovrane nr 1 dhe kanë kërkuar shtyrjen e afateve për riaplikimine saj”, duke kërkuar në ndërkohë edhe rishikim të kushteve të garancisë sovrane nr 2.
Sipas studimit të realizuar nga Fondacioni “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë“, të realizuar me bizneset, kryesisht në qytetin e Durrësit (i prekur më rëndë nga dy ngjarjet e fundit-tërmeti dhe pandemia), rezulton se “në tërësi 53% e të anketuarve morën mbështetjen me pagën minimale, 8.6% morën mbështetje nëpërmjet pagesës së vetme prej 40,000 lekësh, 8.2% morën mbështetje nga bankat për shtyrjen e kësteve të kredisë, ndërsa 0.6% u shprehën se kishin marrëmbështetje me likuiditet direkt.
Në totalin e biznesve të pyetura, vetëm 0.2% e të intervistuarve kanë kërkuar mbështetje nga bankat për shtyrjen e afatit të pagesës së kësteve të kredive dhe mbështetje me kredi për pagat e punonjësve të tyre. Nga subjektet e fasonerisë kjo kërkesë përbënte më shumë se 50 për qind të të pyeturve, sipas shoqatave të tyre përfaqësuese.
Thuajse 30% e të intervistuarve u shprehën se nuk kishin marrë asnjë mbështetje nga shteti, -citohet ndërkohë në studimin referuar më sipër.
Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se në takimin me zyrtarë të këtij institucioni, fasonistët kanë kërkuar në ndërkohë realizimin e një programi mbështetës afatmesëm nga Buxheti i Shtetit dhe Institucionet donatore, i financuar pjesërisht me grante dhe pjesërisht me kredi të butë, për sipërmarrjet e sektorit që duan të diversifikojnë produktet, në përshtatje me kërkesat e tregut ndërkombëtar, duke përfshirë materialet mbrojtëse individuale për mjekësinë.
Po ashtu, në kërkesat e shkruara të shoqatave përmenden edhe kërkesa të tilla si ajo për t’i dhënë përparësi absolute prodhimit vendas të veshjeve dhe këpucëve në të gjitha kontratat/tenderimet e lidhura nga Institucionet publike për produkte te tilla, deri edhe tek përgatitja e nje programi alternativ për Qeverinë dhe Donatorët për mbështetjeje afatmesme (2021-2023), për sipërmarrjet e industrisë që duan të investojnë në kapacitetet e tyre prodhuese, për diversifikim të prodhimit. Këto kërkesa, përfaqësuesit e këtij tregu i shohin si një ndërhyrje emergjente dhe të detyrueshme që duhet të finalizohet me aktivizimin e një pakete të tretë ndihme financiare nga buxheti i shtetit.
Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se po diskutohet një paketë mbështetëse për eksportet, pa identifikuar nëse në këtë paketë të re financiare do të përfshihen edhe riekpektortet.
Vetë përfaqësues të biznesit të rregjimit të përpunimit aktiv, të pyetur se “çfarë mendonin ata se mund të kishte bërë më mirë qeveria për të ndihmuar bizneset“, – 58% u shprehën se qeveria duhet të hiqte ose të lehtësonte taksat për një periudhë afatmesme, 49.2% e tyre kërkonin mbështetje financiare për të përballuar pagesën e qerasë, (duke qënë se mbi 85 për qind e mjediseve të punës janë marrë me qira dhe nuk janë këto biznese poseduese të këtyre mjediseve).
Një numër më i konsiderueshëm kërkonte pezullimin e pagesave të sigurimeve shoqërore e shëndetësore për një periudhë të caktuar nga 6 deri 12 muaj, si një shpenzim që përbën koston më të madhe në këtë sektor.
Goditja pandemike e këtij biznesi duket se do të vijojë ende, përsa kohë edhe vetë pandemia duket se nuk ka prekur ende fundin e saj.
Nga Bardhi Sejdarasi
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.