Studimi i BQE mbi papunësinë – Më e lartë se të dhënat zyrtare, frenon rritjen e pagave
Një studim i Bankës Qendrore Europiane tregon se papunësia në Eurozonë është më e lartë se ç’tregojnë të dhënat zyrtare, duke sjellë një barrë për rritjen e pagave. Kjo sjell dyshime mbi normalizimin e politikave monetare nga institucioni.
Rritja e pagave ka qenë tejet e dobët për bllokun që ndodhet në ritmin më të fortë ekonomik në një dekadë dhe BQE argumenton se duhen dinamika më të mira të pagave për të nxitur inflacionin.
Duke shpjeguar rritjen e fortë të punësimit me ngadalësimin e pagave, Banka theksoi se të dhënat zyrtare mbi papunësinë përjashtojnë personat që nuk përputhen me kriteret strikte statistikore dhe personat part-time që kërkojnë më shumë orë pune.
Duke i futur këto të dhëna papunësia shkon në 15%, shumë sipër 9.5%-shit dhe tregon se vetëm Gjermania ka një treg të fortë pune. Reformat e tregut të punës kanë nxitur rritjen e punës part-time, që i ka dhënë më shumë fleksibilitet punëdhënësve.
Për rrjedhojë, kompanitë po punësojnë më shumë punonjës të përkohshëm në vend që t’i japin më shumë punë atyre aktualë. Që prej krizës financiare, punësimi part-time dhe i përkohshëm është rritur me rreth 4 milionë njësi, ndërkohë që punësimi total nuk ka treguar rritje, duke sjellë një barrë për rritjen e pagave.
Kritikët e BQE argumentojnë se rritja e fortë ekonomike dhe përshpejtimi i inflacionit kanë hapur dritën e gjelbërt për institucionin që të normalizojë politikat. BQE vlerëson se 3.5% e popullsisë në moshë pune konsiderohet statistikisht si joaktive, edhe pse mund ti bashkohen tregun shumë shpejt.
Një tjetër 3%-sh punon më pak se ç’kërkojnë. Një tjetër problem për BQE është se pjesë më e madhe e vendeve të reja të punës krijohen në sektorin e shërbimit, ku produktiviteti është më i ulët, gjë që frenon gjithashtu rritjen e pagave.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.