Studimi në SHBA për vaksinimin e fëmijëve – Vaksina Pfizer/BioNTech mbron fëmijët kundër komplikacioneve të rralla COVID-19
Dy doza të vaksinës COVID-19 të Pfizer dhe BioNTech janë shumë mbrojtëse ndaj një gjendjeje të rrallë, por shpesh serioze tek fëmijët që shkakton inflamacion të organeve disa javë pas infeksioneve, theksohet në një raport të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA.
Vaksina u vlerësua të ishte 91% efektive në parandalimin e Sindromës Inflamatore Multisistemike tek Fëmijët te moshat 12 deri në 18 vjeç, nënvizon studimi. Kjo sindromë shkakton inflamacion tek fëmijët në organe duke përfshirë zemrën, mushkëritë, veshkat dhe trurin dy deri në gjashtë javë pas një infeksioni të lehtë ose asimptomatik.
Vlerësimi bazohet në testimin e 283 pacientëve të moshës 12-18 vjeç të shtruar në 24 spitale të 20 shteteve midis korrikut dhe fillimit të dhjetorit, kur prevalenca e variantit të koronavirusit Delta ishte e lartë. Të gjithë këta pacientë ishin të pavaksinuar.
Rezultatet i shtohen një numri në rritje të provave se vaksinimi kundër COVID-19 ka të ngjarë të parandalojë ndërlikimet e lidhura me sëmundjen tek fëmijët, duke përfshirë Sindromën Inflamatore Multisistemike, thuhet në raport. Më parë nuk dihej nëse vaksina Pfizer/BioNTech e parandalonte këtë gjendje.
Gjetjet e studimit kanë disa kufizime, duke përfshirë pyetjet në lidhje me efektivitetin e vaksinës kundër variantit Omicron me përhapje të shpejtë.
Fëmijët e moshës 5-11 vjeç janë në rrezikun më të lartë për këtë sindromë, por u kualifikuan për vaksinën Pfizer-BioNTech vetëm në fund të tetorit në Shtetet e Bashkuara. Ata nuk janë përfshirë në studim, thuhet në raport.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.