Studimi/Shqiptarët kanë besim te bankat! – 91% kanë kontakt direkt, 17% kontakt edhe me e-banking
Bankat janë institucionet më të besueshme në sytë e klientëve të tyre. Shoqata e Bankave prezantoi të enjten pjesën e dytë të studimit për besimin e konsumatorëve në banka. Rezultatet treguan se bankat tregtare dhe Banka e Shqipërisë janë subjektet me shkallën më të lartë të besimit në krahasimin me institucionet apo sektorët e tjerë strategjikë në ekonominë e vendit.
Studimi ndërkohë, evidentoi se kanali kryesor i marrëdhënies me bankën për shqiptarët ngelet kontakti direkt me degët dhe bankomatet . 91% e të anketuarve kanë si formën më të shpeshtë të marrëdhënies me bankën kontaktin direkt, ndërsa vetëm 17% kanë si kanal kryesor internet banking.
Anketimi tregoi gjithashtu se produkti bankar më i përdorur ngelet karta e debitit. Ky gjithashtu është një tregues i tërthortë i mbizotërimit të parasë cash në transaksionet ekonomike. Karta e debitit është një instrument që, në pjesën dërrmuese, përdoret për tërheqjen e parave nga llogaritë bankare.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.