Studimi surprizë për shqiptarët/Të 10-tët në botë për të udhëtuar, në shpenzim i`a kalojmë italianëve
Shqiptarët janë të dhjetët në botë në listën e udhëtarëve më të mëdhenj, ku në analizë merren 107 vende të botës. Studimi më i fundit është bërë duke përpunuar të dhënat e Bankës Botërore dhe Organizatës Botërore të Turizmit për periudhën 2007-2016 dhe përfundimet që dalin nga ky përpunim të dhënash janë mjaft interesante.
Shqiptarët janë jo vetëm të dhjetët në botë, por rezulton se bëjnë më shumë se një udhëtim në vit për frymë jashtë vendit. Për vendin tonë mesatarja fiksohet në 1.36 udhëtime për frymë.
Madje, duke parë listën vihet re se, Shqipëria gjendet mes vendeve mjaft të zhvilluara, si Suedia, Danimarka, Zvicra, Finlanda, Singapori, etj. E për më tepër le prapa në renditje vende si Gjermania, Holanda, Austria, Britania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Belgjika etj.
Me 11.37 udhëtime për frymë, Hong Kongu zë vendin e parë në këtë listë. Gjithsesi, renditja e lartë e Shqipërisë në një studim të tillë lidhet edhe me faktin e numrit mjaft të lartë të emigrantëve.
Studimi në fjalë ka përllogaritur edhe shpenzimet mesatare për frymë të udhëtarëve nga këto vende. Edhe këtu, Shqipëria habit.
Shqiptarët shpenzojnë mesatarisht 450 dollarë për frymë në çdo udhëtim që ata bëjnë jashtë vendit, dhe janë të 34-tët në botë, duke lënë pas edhe italianët që shpenzojnë vetëm 408 dollarë për frymë, spanjollët, grekët, japonezët, etj.
Ata që harxhojnë më shumë në nivel global për udhëtime janë shtetasit nga Luksemburgu me rreth 5700 dollarë për frymë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.