Studio ligjore mjedisore – Konomi: Nivel i pakënaqshëm, do propozojmë ndryshime në ligj
Duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm Agjencia Kombëtare e Mjedisit do të rishikojë licencat e studiove ligjore mjedisore në vend, të cilat bëjnë vlerësimet e ndikimit në mjedis. Në një intervistë për televizionin SCAN, drejtori i AKM, Edison Konomi theksoi se gjatë këtyre viteve këto studio kanë qenë në një nivel jo të kënaqshëm lidhur me procedurat që kanë kryer dhe po synohet rritja e cilësisë së tyre përmes vendosjes së kritereve, ndër të cilat certifikimi i ekspertëve mjedisorë.
“Duke qenë se mungojnë informacione në dosjet e propozuara nga këto studio, ka detyruar Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, që të kërkojë informacione shtesë. Dhe kjo patjetër impakton në vonesën e procedimit dhe zhvillimit të projekteve. Në lidhje me përmirësimin e procedurave dhe përmirësimin e cilësisë së këtyre studiove, aktualisht certifikimi i ekspertëve mjedisorë është i bazuar në kriteret e VKM-së numër 1124 të vitit 2008, por të jemi realistë, një pjesë e mirë e studiove apo personave të licencuar është jashtë kritereve”, tha kreu i AKM.
Konomi shtoi më tej se së shpejti do t’i propozojnë ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit ndryshime në ligj lidhur me studiot të cilat bëjnë vlerësimet e ndikimit në mjedis.
“Përsa i përket ndryshimeve ligjore që ne mendojmë, qoftë për të dhënat paraprake apo të thelluara, apo për formularët e tipeve A, B dhe C, ne mendojmë që këto të hartohen në grupe pune. Ky do të jetë propozimi që ne si Agjenci Kombëtare e Mjedisit do t’i bëjmë ministrisë. Do të thotë, të ketë një numër të përcaktuar ekspertësh të cilët përpunojnë VNM-në, përpunojnë VNM-në e thelluar, apo VSM-në. Gjithashtu, i njëjti trajtim duhet bërë edhe me formularët e lejes së mjedisit të tipit A, B dhe C”, tha Konomi.
Sipas kreut të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, ky është një proces i cili do të zgjas rreth 6 muaj.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.