Stuhia Gloria: Viktima në Spanjë, Franca ‘ndez’ alarmin!
Numri i vdekjeve nga Stuhia Gloria në Spanjë u rrit në 11 njerëz të enjten ndërsa moti i frikshëm vazhdon të ziejë në lindje të vendit. Ishujt Balearik dhe rajonet lindore, përfshirë Katalonian dhe Valencian, kanë përjetuar stuhinë që tani hyn në ditën e pestë.
Erërat me më shumë se 140 km në orë, valët që arrijnë më shumë se 10 metra dhe dëbora e madhe e reshjet e shiut kanë shkaktuar kaos të madh, paralizim të transportit dhe shkatërrim të infrastrukturës.
Ujërat e detit kanë shkaktuar dëme të mëdha pasi nga forca e madhe kanë hyrë në qytetet bregdetare, ndërkohë që frika e radhës janë edhe lumenjtë të cilët mund të dalin nga shtretërit e tyre dhe të përmbytnin qytete të mëdha duke përfshirë Gironën.
Diku tjetër, siç është në pjesë të Valencias, janë grumbulluar më shumë se 80 cm dëborë.
Agjencia meteorologjike AEMET pret që stuhia të arrijë maksimalen e saj të enjten por ka lënë paralajmërime të verdha edhe në rreth njëzet provinca, shumica e tyre të vendosura në veri-lindje të vendit, përgjatë kufirit me Francën.
Përtej Pireneve, agjencia Meteo France gjithashtu ka vënë nën vëzhgim disa departamente, dy prej të cilave në nivelin më të lartë, duke shënuar rrezikun e rëndësishëm të përmbytjeve të cilat tashmë kanë çuar në mbyllje të rrugëve dhe evakuimeve lokale. (Euronews)
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.