Stuhitë dimërore – Kaos në New York, “Eleanor” godet Europën
Stuhia dimërore ka shkaktuar kaos në pjesën veri-lindore të Shteteve të Bashkuara, me erëra të forta, borë verbuese dhe temperatura të ulëta. Stuhia më e keqe në dekada ka sjellë anulimin e thuajse 4,000 fluturimeve, ka mbyllur shkollat dhe bllokuar autostradat.
Guvernatori i New York-ut Andrew Cuomo deklaroi gjendjen e emergjencës, ndërsa kryebashkiaku Bill de Blasio paralajmëroi banorët që të qëndrojnë në shtëpi, ndërkohë që situata pritet të përkeqësohet.
Erërat arritën një shpejtësi prej 85 km/orë, ndërsa në Boston pritet që bora të arrijë një lartësi prej 45cm. Stuhia pritet të vazhdojë deri në fundjavë dhe pas rënies së dëborës, temperaturat pritet të bien shpejtë.
Edhe në Europë situata nuk është më mirë, ndërkohë që stuhia Eleanor goditi Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë, Zvicrën dhe Holandën.
Sipas Associated Press thuajse 200,000 shtëpi në Francë kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa erërat e forta kanë shkaktuar vonesa në aeroportet kryesorë në Paris dhe Amsterdam.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.