Subvencionet e Boeing dhe Airbus – BE reagon me tarifa. Publikon listën e $20 mld mallrave të SHBA
Komisioni Europian publikoi një listë të mallrave amerikanë që arrijnë vlerën e 20 miliardë dollarëve, mallra që do të jenë subjekt i tarifave europiane. Kjo lëvizje vjen në kundërpërgjigje të konfliktit me Shtetet e Bashkuara mbi subvencionet amerikane ndaj prodhuesit të avionëve Boeing. Plani i Brukselit vjen një javë pasi Washingtoni hartoi një listë të produkteve europiane, prej subvencioneve ndaj Airbus. Lista e prezantuar nga Komisioni përfshin një gamë të gjerë të produkteve amerikane, përfshirë avionët, produktet kimikate dhe ato bujqësore.
Vlera totale e tyre arrin në 20 miliardë dollarë. Organizata Botërore e Tregtisë do të gjykojë mbi masat e BE dhe mund të marrë një vendim deri në fund të këtij viti. Organizata publikoi një raport që konfirmonte se subvencionet amerikane ndaj Boeing do vazhdojnë të përbëjnë problem për Airbus, përfshirë në rënien e shitjeve. Cecilia Malmstrom, komisionerja e tregtisë, tha se kompanitë europiane duhet të konkurrojnë në mënyrë të drejtë me ato të huaja. Megjithatë, ajo theksoi se BE është i gatshëm që të negociojë me SHBA.
“Negociatat e ofruara janë të limituara por përfituese për të dyja palët dhe kjo është rënë dakord mes dy presidentëve, Donald Trump dhe Jean-Claude Juncker në vitin e kaluar. Jemi të gatshëm për bisedime dhe ndërsa nisin, besoj se do të përfundojnë shumë shpejtë.”
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian janë përplasur në një proces të ashpër te Organizata Botërore e Tregtisë që prej vitit 2004, prej shqetësimeve mbi dy prej prodhuesve më të mëdhenj të avionëve. Kjo ka sjellë akuza nga të dyja palët për subvencionimin e Airbus dhe Boeing. Tensionet tregtare morën vrull vitin e kaluar, kur presidenti Donald Trump lajmëroi tarifa ndaj importeve të çelikut dhe aluminit nga Europa.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.