Subvencionet e prapambetura, fermerët marrin 80 mln lekë brenda Marsit
Brenda këtij muaji të gjithë fermerët që janë shpallur fitues në projektet e tyre nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural gjatë vitit 2016 dhe që nuk janë financuar, do të marrin edhe pagesat përkatëse.
Ministria e Bujqësisë bën me dije se konkretisht bëhet fjalë për ato projekte të vlerësuara, të verifikuara dhe të kontraktuara gjatë vitit 2016, të cilat janë shpallur fituese dhe nuk janë financuar plotësisht për shkak të vonesave në realizimin e projektit, si pasojë e kushteve atmosferike apo vonesave të shkaktuara nga marrëdhëniet kontraktuale me të tretët ose autoritetet shtetërore.
Për këto vonesa është kusht që të jetë njoftuar autoriteti kontraktor. Kështu qeveria ka vendosur që pagesat e prapambetura të paguhen me fondet e vitit 2017 të subvencioneve, brenda tremujorit të parë të këtij viti. Megjithatë fondi i alokuar për këtë qëllim nuk e kalon shifrën prej 80 milionë lekësh.
Ndërkohë që fondi në total për subvencionet në bujqësi, gjatë vitit 2017 është 1.6 miliadrë lekë. Pak ditë më parë, qeveria ka miratuar edhe skemat e subvencioneve për këtë vit, ku nuk ka asnjë ndryshim në krahasim me vitet e mëparshme, dhe pritet që së shpejti të dalë dhe udhëzimi përkatës për fermerët.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.