Subvencionet në bujqësi – Afat për aplikime deri më 31 Maj, fondi 1.6 mld lekë
31 Maji është afati i fundit kur fermerët mund të aplikojnë për të qenë përfitues të subvencioneve shtetërore në bujqësi. Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) u ka lënë kohë të interesuarve rreth 1 muaj, pasi aplikimet kanë nisur më 2 Maj.
Fondi që do të shkojë për mbështetjen e projekteve aplikuese nga fermerët në të gjithë vendin është 1.6 miliardë lekë, i shkurtuar me 300 milion lekë në krahasim me fondin e shpërndarë një vit më parë.
Sa i përket kritereve të përfitimit, referuar udhëzimit të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Bujqësisë, bëhet me dije se avantazh kanë fermerët që realizojnë projektet brenda 6-mujorit të parë të 2017-ës, që janë të pajisur me NIPT-in e fermerit, sipërfaqja minimale për të cilën aplikohet nuk duhet të jetë më e vogël se 2 dynym dhe jo më e madhe se 5 ha, të kenë paguar taksën e tokës sigurimet shoqërore, si dhe të kenë vërtetim nga OSHEE që kanë shlyer detyrimet e prapambetura.
Kriteret kryesore konkurruese kanë një total prej 100 pikësh, ku sipërfaqja e tokës që do mbillet ka 60 pikë, teknologjia e kultivimit 20 pikë, kultivarë autoktonë 5 pikë, statusi i aplikantit 10 pikë, përkatësia gjinore 1 pikë dhe mosha e aplikantit 4 pikë.
Aplikimet bëhen në zyrat e bujqësisë së rrethit përkatës. Projektet fituese do të përzgjidhen në bazë të hartës së rajonizimit të miratuar nga Ministria e Bujqësisë.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.