Subvencionet për investitorët e huaj – Maqedonia do të respektojë marrëveshjet
Zëvendëskryeministri për çështjet ekonomike Koço Angjushev ka siguruar investitorët e huaj se qeveria do të respektojë kontratat që ka me subjektet të cilat shfrytëzojnë subvencionet shtetërore.
Në një takim me sipërmarrës të huaj, Angjushev shtoi se për sa kohë që detyrimet e marrëveshjes janë respektuar nga investitorët, atëherë edhe qeveria do të mbajë përmbushë detyrimet e veta. Në të kundërt, theksoi ai, do të shfrytëzohen të gjitha mjetet në dorë të shtetit për të siguruar mbrojtjen e pronës shtetërore.
Duke nisur nga muaji shtator, qeveria do të përgatisë edhe një lloj të ri marrëveshjeje, ku krahas përfitimeve aktuale për infrastrukturë dhe mbulimin e një pjese të shpenzimeve, do të shtohet një klauzolë e re, e cila përcakton se investitorët e huaj do të subvencionohen edhe në varësi të shumës së pagës neto që u paguajnë punonjësve.
“Ne nuk do të diferencojmë kompanitë me pronar të huaj apo maqedonas. Ndërtimi i një fabrike do të mbështetet në të njëjtën mënyrë, qoftë brenda një zone pa tarifa doganore apo jashtë saj. Ne besojmë se kjo do të ndihmojë ekonominë e Maqedonisë”, u shpreh Angjushev.
Ndryshimet do të orientohen rreth faktit nëse një kompanie e huaj ka një impakt të drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit, apo nëse ajo thjesht kryen procesin dhe eksporton jashtë, pa patur asnjë interaktivitet.
Nga ana e tyre, investitorët përshëndetën inciativë e qeverisë dhe u shprehën të lehtësuar prej spekulimeve që qarkullonin për mbylljen e skemës.
Strategjia e Maqedonisë për tërheqjen e investitorëve përmes skemës së subvencioneve ka rezultuar e suksesshme, duke e bërë vendin më tërheqësin në rajon sipas “Doing Business”.
Megjithatë ekziston rreziku potencial se këta investitorë mund të largohen nga vendi pasi subvencionet të mbarojnë.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.