Suedia do të dërgojë diplomatë në Turqi – Vendi nordik përpiqet të kapërcejë kundërshtimet e Ankarasë
Suedia do të dërgojë diplomatë në Turqi për t’u përpjekur të kapërcejë kundërshtimet e Ankarasë ndaj planit të saj për t’u bashkuar me NATO-n, tha ministri i Mbrojtjes Peter Hultqvist, me një vendim zyrtar për të dorëzuar një aplikim që pritet të hënën.
Social Demokratët në pushtet në Suedi hoqën kundërshtimin e tyre 73-vjeçar për t’u bashkuar me NATO-n të dielën dhe shpresojnë për një anëtarësim të shpejtë, duke braktisur dekada të mos-angazhimit ushtarak pas pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt.
Finlanda konfirmoi gjithashtu se do të aplikonte për t’u bashkuar me aleancën ushtarake të Atlantikut.
Megjithatë, Turqia i befasoi aleatët e saj të NATO-s duke thënë se nuk do t’i shikonte pozitivisht aplikimet nga Finlanda dhe Suedia, me presidentin Tajip Erdogan që tha “Vendet skandinave janë bujtina për organizatat terroriste”.
“Ne do të dërgojmë një grup diplomatësh për të zhvilluar diskutime dhe për të dialoguar me Turqinë, në mënyrë që të mund të shohim se si mund të zgjidhet kjo dhe për çfarë bëhet fjalë në të vërtetë,” tha ministri i Mbrojtjes Peter Hultqvist për shërbimin publik SVT.
Turqia tha se donte që vendet nordike të ndalonin mbështetjen për grupet militante kurde të pranishme në territorin e tyre dhe të heqin ndalimet për shitjen e disa armëve në Turqi.
NATO dhe Shtetet e Bashkuara thanë se ishin të bindur se Turqia nuk do të ndalonte anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë.
Çdo vendim për zgjerimin e NATO-s kërkon miratimin nga të 30 anëtarët e aleancës dhe parlamentet e tyre, por diplomatët thanë se Erdogan do të ishte nën presion për t’u dorëzuar pasi Finlanda dhe Suedia do ta forconin shumë NATO-n në Detin Baltik.
“Kam besim se do të jemi në gjendje të adresojmë shqetësimet që Turqia ka shprehur në një mënyrë që nuk e vonon anëtarësimin”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Parlamenti i Suedisë do të zhvillojë të hënën një debat mbi kërkesën për anëtarësim të Suedisë, një formalitet pasi tashmë ka një shumicë të gjerë për një aplikim. Qeveria do të marrë vendimin zyrtar për të aplikuar më vonë gjatë ditës, tha Hultqvist.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.