Suficitet e Gjermanisë – Ministria e Ekonomisë: Reduktimi i TVSH do të ketë ndikim të limituar
Reduktimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në Gjermani nga 19% që është aktualisht, do të ketë një ndikim të limituar në uljen e suficiteve të vendit, që janë kritikuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump, raporton Ministria e Ekonomisë.
Komentet vijnë pas një raporti të Welt am Sonntag, ku thuhej se Qeveria gjermane po konsideron mundësinë e reduktimit të taksës, një masë që është rekomanduar nga shumë ekonomistë.
Zëdhënësit e Ministrisë nuk e mohuan raportin, por theksuan se një lëvizje e tillë do të ketë një efekt tejet të limituar në balancën e llogarisë korrente. Megjithatë, ata shtojnë se Qeveria i ka rishikuar në mënyrë të vazhdueshme rekomandimet e ekonomistëve dhe ka ekzaminuar mënyra për reduktimin e suficiteve.
Vendi do të zhvillojë zgjedhjet e përgjithshme gjatë muajit Shtator, gjë që tregon se ndryshimi i menjëhershëm i politikave tatimore të mos ketë gjasa të ndodhë.
Zyrtarët gjermanë thanë se suficiti i llogarisë korrente të vendit vjen prej shumë faktorësh, përfshirë disa që janë përtej kontrollit të Qeverisë, si çmimi i naftës apo kursi i këmbimit të euros, por edhe prej kërkesës së madhe për produktet gjermane.
Kancelarja gjermane Angela Merkel ka refuzuar kritikat e Shteteve të Bashkuara mbi suficitet gjermane, duke thënë se ajo dhe Donald Trump kanë rënë dakord të krijojnë një grup pune për të këmbyer informacion mbi lidhjet bilaterale ekonomike.
Këshilluesit mbi tregtinë të Donald Trump kanë thënë se vlera e euros është një faktor, gjë që është hedhur poshtë nga zyrtarët e Gjermanisë pasi fuqia e valutës varet kryesisht prej politikave të pavarura të Bankës Qendrore Europiane.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.