“Super Mario” – Çfarë mund t’i japë kryeministri i ri Italisë dhe Bashkimit Evropian?
Italia ka një kryeministër të ri. Këtë herë, dera rrotulluese e arenës politike të Italisë ka ndalur tek Mario Draghi, ish-shefi i Bankës Qendrore Evropiane i njohur për qasjen e tij pragmatiste në përballimin e krizës së euros.
Çështjet e menjëhershme në shqetësimin e Kryeministrit Draghi janë krizat aktuale shëndetësore dhe financiare.
Më shumë se 93,000 njerëz kanë vdekur në Itali si rezultat i pandemisë së koronavirusit, e cila gjithashtu ka përkeqësuar një perspektivë ekonomike që ishte edhe më përpara negative.
Ekonomia e tretë më e madhe e BE, pas asaj të Gjermanisë dhe Francës, tani po përjeton rënien e saj më të keqe që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Theksi i Draghi do të jetë në luftimin e zjarrit,” i tha Euronews Dr Luigi Scazzieri, një studiues në Qendrën për Reformën Evropiane (CER). “E para ai do të sigurohet që fushata e vaksinimit të fitojë shpejtësinë. E dyta do të sigurohet që ekonomia e Italisë të rimëkëmbet shpejt, duke shpenzuar paratë nga fondi i rimëkëmbjes së BE në mënyra që maksimizojnë rritjen.”
Krahasuar me vendet e tjera anëtare, Italia ka qenë më e shpejtë se shumica në procesin e vaksinimit, megjithëse i ka dhënë përparësi punonjësve të kujdesit shëndetësor, që do të thotë se shumë qytetarë vulnerabël mbeten të rrezikuar.
Ndërkohë, vendimet për mënyrën e shpenzimit të 209 miliardë eurove të fondeve të rimëkëmbjes së BE-së mund të tingëllojnë të lehta, por ato kanë sfidat e tyre. Fundja, shpenzimi i parave është i thjeshtë; por reforma strukturore që vjen me të nuk është.
Për të përfituar nga fondet e BE, vendet anëtare duhet të hartojnë plane deri në fund të Prillit që ta vijëzojnë rikuperimin e vendit me udhëzimet e përcaktuara nga Brukseli.
Si do të jetë ndryshe qeveria e Draghi?
Prioritetet e Draghi janë të njëjta me ato që çdo qeveri tjetër do të kishte pasur. Dallimi kryesor është se ai nuk është një politikan dhe është i interesuar mbi të gjitha tek rezultatet sesa qëndrimi në pushtet. Kur të vendosë se si do shpenzojë fondin e rimëkëmbjes, përparësia e tij do të jetë në maksimizimin fitimit.
Ai sigurisht ka dhe shumë autoritet, duke marrë parasysh trashëgiminë e tij ndërkombëtare me eurozonën. Vlerësimin e tij prej 71% tregon se Draghi është një zgjedhje popullore.
73-vjeçari gjithashtu komandon një shumicë të madhe në parlament; koalicioni i tij i gjerë është ndërtuar me politikanë nga pothuajse të gjitha partitë italiane, së bashku me disa teknokratë të shtuar brenda.
Po ndikimi i tij në BE?
“Një figurë e profilit të lartë si Mario Draghi – i cili ka përvojë të nivelit të lartë në institucionet evropiane – mund të marrë qëndrime potencialisht më të forta në arenat ndërkombëtare dhe evropiane,” tha De Maio. “Nën udhëheqjen e tij, Italia mund të fitojë më shumë leva politike në BE, duke sfiduar udhëheqjen Franko-Gjermane në Evropë dhe në marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara.”
Teresa Coratella, nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme, shtoi se të dy Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti francez Emmanuel Macron kanë gjëra të tjera në mendjet e tyre, gjithashtu. E para do të tërhiqet së shpejti nga roli i saj, ndërsa i dyti do të përballet me rizgjedhje vitin e ardhshëm.
“Roli që Draghi mund të luajë në këtë moment shumë delikat të Evropës është shumë i rëndësishëm,” tha ajo.
Dosti Banushi – SCAN
Burimi: Euronews
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.