Surpriza e bujqësisë – Rekord i kredisë së re për muajin qershor
Ndërkohë që kreditimi i ekonomisë po ecën me ritëm të ngadaltë, një nga surprizat e pakta në muajin qershor erdhi nga bujqësia. Kredia e re për bujqësinë e disbursuar gjatë muajit të kaluar kaloi vlerën e një miliard lekëve, një rekord ky për sa i takon vlerës mujore të kredisë në këtë sektor.
Bujqësia është ndoshta sektori më i nënkredituar i ekonomisë shqiptare, po të kemi parasysh kontributin që sektori ka në prodhimin kombëtar dhe në punësim. Vlera e portofolit të kredisë për bujqësinë është rreth 5.5 miliardë lekë ose rreth 1.7% e totalit të kredisë për biznesin. Kreditimi kushtëzohet nga kapacitetet e dobëta të këtij sektori për të përthithur financime, të lidhura me konkurrueshmërinë e ulët, parcelizimin, mungesën e ekspertizës dhe problemet me dokumentet e pronësisë së tokës.
Në vitet e fundit, nuk kanë munguar skemat për nxitjen e kreditimit të këtij sektori. Më e bujshmja, ishte ajo e vitit 2016, kur qeveria shqiptare dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, prezantuan skemën ambicioze të garancisë financiare për fermerët. Përmes një fondi garancie 75 milionë euro, fermerëve do t’u krijohej akses në kredi nga bankat tregtare për një shumë prej rreth 300 milionë eurosh.
Deri tani, rezultatet e kësaj skeme kanë qenë modeste. Megjithatë, rritja e ndjeshme e kredisë së re gjatë muajit qershor, me vlera shumë më të larta në raport me mesataren mujore të këtij sektori, mund të jetë një sinjal.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.