Surprizon tregtia kineze – Eksportet nuk “pyesin” për tarifa. Pekini ndryshon destinacionet
Eksportet kineze u rikthyen papritmas në rritje gjatë Korrikut, prej përmirësimit të kërkesës botërore, por rimëkëmbja mund të jetë e shkurtër ndërkohë që Washingtoni përgatit tarifat e reja. Analistët thonë se rënia e fortë e juanit kinez këtë javë mund të ofrojë nxitje të limituar për eksportuesit kinezë, që do përballen me tarifa të tjera muajin e ardhshëm.
Eksportet për Korrikun u rritën me 3.3% me bazë vjetore, që është norma më e shpejtë që prej muajit Mars. Megjithatë, importet pësuan rënie me 5.6%, ç’ka vë në dukje kërkesën e dobët brenda vendit, ndërkohë që ekonomia kineze ndodhet në vështirësi.
Performanca më e mirë se sa pritej e tregtisë kineze, i dha nxitje aksioneve aziatike, që kanë pësuar rënie të pjerrët që kur Donald Trump lajmëroi tarifa shtesë ndaj mallrave kinezë. Juani ka rënë gjithashtu në nivelin më të ulët në 11 vite.
Ndërkohë që eksportet kineze drejt Shteteve të Bashkuara vazhduan rënien në Korrik prej tarifave, dërgesat janë rritur drejt Europës, Koresë së Jugut, Tajvanit dhe kryesisht Azisë Juglindore. Sipas analistëve, Kina mund të ndryshojë destinacionet e eksporteve. Washingtoni po monitoron me kujdes ndryshimet e itenerarëve tregtarë të kinës.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.