Takimi i Bankës së Japonisë – Mban stimujt monetarë të pandryshuar, optimizëm për inflacionin
Banka Qendrore e Japonisë mbajti të pandryshuara politikat monetare gjatë takimit dy-ditor që përfundoi ditën e Martë dhe ofroi një perspektivë më optimiste mbi inflacionin. Rimëkëmbja ekonomike pritet të çojë gradualisht nivelin e çmimeve drejt objektivit prej 2%.
Megjithatë, guvernatori i bankës Haruhiko Kuroda po përpiqet t’i japë fund spekulimeve mbi heqjen parakohe të stimujve monetarë dhe rikujtoi investitorët se inflacioni është ende larg objektivit.
Si ç’pritej gjerësisht nga publiku, Banka e Japonisë mbajti të pandryshuar normën bazë të interesit në-0.1% dhe objektivin për interesat e borxhit 10-vjeccarë në 0%, pas përfundimit të takimit.
Banka premtoi gjithashtu se do të blejë obligacione qeveritare, në mënyrë që zotërimet të arrijnë në një vlerë vjetore prej 722 miliardë dollarë. Duke dhënë edhe projeksionet tremujore, banka pret një rritje ekonomike prej 1.4% për vitin aktual dhe 0.7% në 2019-ën.
Bordi i politikave monetare me 9 anëtarë pret tashmë që inflacioni të arrijë 2% në vitin 2020. Dollari u dobësua pak kundër jenit prej lajmërimeve nga Banka Qendrore.
Ekonomia e tretë më e madhe në botë është rritur për të 7-in tremujor radhazi, që është periudha më e gjatë e rritjes që prej vitit 1994. Vlerat në titujt e kapitalit kanë arritur gjithashtu nivelet më të larta në 26 vite.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.