Takimi Biden-Merkel / Konflikte mbi gazsjellësin rus. Por ka dakordësi për mbrojtjen e Ukrainës
Presidenti Joe Biden dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, kanë dështuar të zgjidhin konfliktet në lidhje me gazësjellësin rus “Rrjedha e Veriut 2”, por thanë se janë dakord që Moska nuk duhet të përdorë energjinë si një armë për t’i bërë presion vendeve fqinje. “Miqtë e mirë mund të mos jenë dakord gjithnjë”- tha Biden pas takimit me Merkel në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se të dy liderët i kanë kërkuar ekipeve që të shohin për masa praktike që mund të ndërmarrin së bashku, nëse Rusia përbën kërcënim. Merkel tha se Rusia mund të përballet me sanksione europiane nëse shkel angazhimet për të vazhduar furnizimin me gaz përmes Ukrainës.
Biden tha se vazhdon të ketë shqetësimet mbi gazësjellësin prej 11 miliardë dollarë, që do të dërgojë gaz nga Arktiku në Gjermani, përmes detit Baltik, duke tejkaluar Ukrainën dhe privuar vendin ndaj tarifave të tranzitit. Ëashingtoni po i bën presion Gjermanisë që të gjejë mënyra për të siguruar se Rusia mund të mos e përdorë gazësjellësin, që është 98% i përfunduar, për të cënuar Ukrainën apo aleatë të tjerë në Europën Lindore. Projekti drejtohet nga gjiganti shtetëror i energjisë Gazprom dhe partnerët perëndimorë. Administrata e Biden përfundoi në muajin Maj se kompania Nord Stream 2 AG, dhe ekzekutivi, janë të përfshirë në sjellje të sanksionueshme. Megjithatë, Biden u tërhoq nga sanksionet për t’i dhënë kohë një marrëveshjeje dhe për të rregulluar marrëdhëniet me Gjermaninë.
Merkel tha se Gjermania, ekonomia më e madhe e Europës, dhe Shtetet e Bashkuara, kanë këndvështrime të ndryshme mbi projektin. Megjithatë, ajo këmbënguli se Ukraina duhet të vazhdojë të jetë vend tranzit dhe se Berlini do reagojë nëse Rusia nuk respekton të drejtat sovrane të vendit.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.