Takimi i BQE – Politikëbërësit i shqetëson rritja e euros dhe rreziku i një lufte tregtare
Politikëbërësit e Bankës Qendrore Europiane kanë shprehur shqetësim mbi rrezikun e një lufte të plotë tregtare me Shtetet e Bashkuara dhe kanë vlerësuar ndikimin negativ nga rritja e mundshme e euros. Këto shqetësime janë shfaqur në mbledhjen e fundit të politikave monetare, tregon procesverbali i takimit.
Ndërkohë që ekonomia e Eurozonës është rritur për 5 vite radhazi, politikëbërësit po debatojnë mbi mënyrën se si do të heqin stimujt monetarë dhe përgatisin investitorët për normalizimin e politikave, një dekadë pas krizës financiare. Zyrtarët e bankës e quajtën kursin e këmbimin si një “burim të konsiderueshëm” të pasigurive dhe parashikuan efekte negative te inflacioni.
“Lëvizjet e fundit në kursin e këmbimit vlerësohet se lidhen më shumë me goditjet ndaj politikave monetare, përfshirë komunikimin, e më pak ndaj përmirësimeve mbi perspektivën makroekonomike. Për rrjedhojë, vlerësimi i euros pritet të ketë ndikim negativ te inflacioni”, shkruan dokumenti i takimit. Investitorët kanë vlerësuar nëse plani i kujdesshëm i kalibrimit të politikave të BQE mund të devijojë nga lufta tregtare Kina-SHBA, pavarësisht se politikëbërësit e institucionit e kanë hedhur poshtë këtë rrezik.
Pas përfundimit të programit të blerjes së obligacioneve në fund të këtij viti, investitorët do të monitorojnë normat e interesit, ndërkohë që BQE ka bërë të ditur se do të qëndrojnë të pandryshuara edhe pasi blerjet të përfundojnë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.