Takimi i G20: Largime masive nga sesioni pasi delegati rus fillon të flasë!
Ministrat e financave nga shumë vende u larguan nga një sesion i G20 me dyer të mbyllura në Uashington të mërkurën, kur delegati rus filloi fjalimet e tij të përgatitura, një shfaqje proteste kundër Moskës për pushtimin e saj në Ukrainë. Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen mori pjesë në largim, ashtu si edhe zyrtarë europianë dhe të tjerë perëndimorë që po merrnin pjesë në takim.
Ministrja e financave e Kanadasë, Chrystia Freeland, shkroi në Twitter: “Demokracitë e botës nuk do të qëndrojnë duarkryq përballë agresionit të vazhdueshëm rus dhe krimeve të luftës”. Ajo postoi një foto të zyrtarëve që lanë takimin, duke përfshirë Yellen, kryetarin e Rezervës Federale të SHBA, Jerome Powell dhe Presidenten e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde.
Përpara takimit, zyrtarët amerikanë kishin thënë se Yellen nuk do të merrte pjesë në seanca të caktuara të mbledhjes që përfshinin Rusinë. Zyrtarët ukrainas folën gjithashtu në seancë si mysafirë të ftuar dhe gjithashtu u larguan gjatë prezantimit të Rusisë. Yellen dhe zyrtarë të tjerë morën pjesë në seancë gjatë atyre komenteve, por u larguan kur ministri rus i financave Anton Siluanov filloi të fliste virtualisht. Një zyrtar i veçantë tha se ministrat e financave kishin diskutuar planet për të bojkotuar pjesëmarrjen e Rusisë përpara kohe.
Yellen tha në fillim të këtij muaji se kishte informuar mikpritësin e këtij viti të G20, Indonezinë, se nuk do të merrte pjesë në seancat që përfshinin Rusinë. Ministrat e financave të G20 janë mbledhur në Uashington këtë javë për të përkuar me takimet vjetore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Përpara largimit të së mërkurës, zyrtarët e Thesarit e bënë të qartë se nuk do të ishte punë si zakonisht kur bëhej fjalë për ndërveprimet e Yellen me zyrtarët rusë gjatë mbledhjes së madhe të liderëve ekonomikë globalë të kësaj jave.
Ndërsa Yellen do të marrë pjesë në disa seanca të takimit të Ministrave të Financave dhe Guvernatorit të Bankës Qendrore të G20 me zyrtarë rusë të pranishëm, duke përfshirë seancën e hapjes, ajo nuk do të marrë pjesë në të gjitha ato nëse rusët janë atje, sipas një zyrtari të lartë të Thesarit të SHBA.
Ndërsa Presidenti Biden ka thënë se Rusia nuk duhet të jetë më në G20, largimi i Moskës do të kërkonte mbështetjen e të gjithë anëtarëve. Kjo konsiderohet e pamundur, pasi Kina ka thënë se nuk do të mbështeste dëbimin e Rusisë. CNN
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.