Takimi i gjigantëve dixhitalë, OECD: SHBA vazhdon e angazhuar në negociata
Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të angazhuara në bisedimet botërore mbi taksimin e kompanive të mëdha dixhitale, pavarësisht thirrjes për një pauzë, sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik. Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin, tha muajin e kaluar se duhet një pushim në bisedime, ç’ka nxiti shqetësime nga Europa mbi angazhimin e Washingtonit. Komentet e Përfaqësuesit të Tregtisë, Robert Lighthizer se Washingtoni nuk është më i përfshirë në negociata, i vulosën dyshimet.
“Për të qenë i qartë, Shtetet e Bashkuara nuk janë tërhequr nga negociatat” -tha shefi i OECD Angel Gurria gjatë një fjalimi përballë delegatëve nga 140 vende. “Prezenca e delegacionit nga SHBA, pavarësisht kërkesës për një vonesë mbi shtyllën e parë, konfirmon angazhimin” – shtoi ai.
Shtylla e parë i referohet bisedimeve për të përditësuar rregullat ndërkombëtare tatimore për epokën dixhitale, ku kompani të mëdha si Facebook dhe Google, mund zhvendosin ligjërisht fitimet në vende me taksa të ulëta, pavarësisht vendndodhjes së klientit përfundimtar. Këto bisedime po ndodhin paralelisht me shtyllën e dytë të negociatave, për të arritur në dakordësi mbi një nivel minimal botëror të taksimit koorporativ. “Shtylla e dytë do të sigurojë se do të paguhet një nivel minimal i taksave, pavarësisht planifikimeve të zgjuara tatimore nga kompanitë multinacionale”- tha Gurria.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.