Takimi i liderëve financiarë të G20 – Dakordësi për taksën korporative, rimëkëmbjen dhe monitorimin e çmimeve
Liderët e financave nga 20 ekonomitë më të mëdha në botë kanë miratuar një marrëveshje botërore për të ndryshuar taksimin e korporatave si dhe premtuan për të mbajtur mbështetje fiskale për ekonomitë, duke monitoruar dhe inflacionin. Ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave të G20, thanë gjithashtu në komunikatën pas takimit në Washington se Fondi Monetar Ndërkombëtar duhet të themelojë një fond të ri për të kanalizuar 650 miliardë dollarë rezerva monetare ndaj një vargu më të gjerë të vendeve të cënuara. Liderët theksuan se rimëkëmbja ekonomike është tejet divergjente mes vendeve dhe e cënuar ndaj varianteve të reja të Covid-19, si dhe pabarazia në vaksinim.
Duke marrë parasysh presionet në inflacion të shkaktuara nga ngërçet në zinxhirin e ofertës, ndërkohë që ekonomitë po normalizohen, liderët thanë se bankat qendrore do monitorojnë dinamikën e çmimeve. Guvernatori i Bankës së Italisë, Ignazio Visco, tha se liderët e financave të G20 e shohin ende inflacionin në vendet e zhvilluara të shkaktuar nga faktorë tranzitorë, që do zbehen, si ngërçet në ofertë, mungesën e gjysmëpërçuesve dhe vonesat në dërgesa.
Liderët e G20 premtuan gjithashtu të trajtojnë mungesën e mjeteve për të luftuar pandeminë e Covid-19 në vendet me të ardhura të ulëta e të mesme në muajt e ardhshëm, përfshirë vaksina, terapi dhe pajisje të diagnostikimit. Liderët u mblodhën në Washington përpara takimit vjetor të FMN dhe Bankës Botërore, ç’ka vjen pak ditë pasi 136 vende ranë dakord të përshtasin një taksë minimale korporative prej 15%. Liderët e G20 ranë gjithashtu dakord mbi një propozim të FMN për të krijuar një “Fond të Qëndrueshmërisë” për të lejuar pjesë të 650 miliardë dollarë të rezervave të valutës që të shpërndahen tek vendet anëtare për t’u kanalizuar në nidhma tek vendet me të ardhura të ulëta.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.