Takimi Trump-Macron – Çfarë diskutuan liderët?
Presidenti Donald Trump jo vetëm që nuk pati grindje në takimin e tij me presidentin francez Emmanuel Macron por të dy gjetën hapësira për marrëveshje mbi Iranin dhe Sirinë, thanë zyrtarët francezë.
Trump dhe Macron “diskutuan një gamë të gjerë çështjesh ndërkombëtare, duke përfshirë situatën në Siri, duke iu kundërvënë kërcënimeve të paraqitura nga Irani dhe duke promovuar kushtet e drejta të tregtisë midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian”, -tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë. Takimi zgjati rreth një orë.
Zyrtarët francezë thanë se Trump e pyeti Macron për pikëpamjet e tij, dëgjoi përgjigjet, dhe nuk kërkoi konfrontime. Macron dhe Trump ndanë të njëjtat shqetësime rreth programit të raketave balistike të Iranit dhe ndërhyrjes së saj rajonale, thanë zyrtarët, por Trump këmbënguli që politika e SHBA për vendosjen e sanksioneve po jepte fryt duke dobësuar ekonominë e Iranit dhe prandaj ishte tepër herët për të shqyrtuar bisedimet. Në Siri, ata ranë dakord të punojnë me Turqinë për të shpëtuar jetët civile në zonën Idlib. Në tregti, Trump tha se Evropa ishte e padrejtë ndaj SHBA dhe Macron u përgjigj se SHBA ka tarifa dhe barriera të larta, por ata ranë dakord që të dyja palët duhet të vazhdojnë të flasin.
Macron ka krijuar një marrëdhënie më të ngushtë pune me Trump se sa udhëheqësit e Gjermanisë dhe Britanisë, megjithëse të dy kanë pasur përleshje të ashpra në lidhje me Iranin, tregtinë dhe mbi të gjitha mbi një çështje që as nuk e diskutuan në këtë takim – klimën. Të dy liderët më vonë diskutuan udhëtimin e planifikuar të Trump-it më 11 nëntor në Paris për të festuar 100 vjetorin e armëpushimit të Luftës së Parë Botërore.
e.t/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.