Taksa e bizneseve mbi pasurinë – Mbi 2 mijë subjekte u shmangen detyrimeve
Rreth 43.235 subjekte aktive kryesore në kryeqytet janë regjistruar për të paguar taksën e pasurisë gjatë vitit 2017. Shifra e dhënë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatim-Taksave Vendore, ka ardhur në rritje krahasuar me një vit më parë, ku kanë qenë të regjistruar 39.754 subjekte. Megjithatë në total numri i bizneseve aktive kryesore gjatë 2017 ka qenë 45.912, çka do të thotë se rreth 2677 biznese i janë shmangur detyrimit për të paguar këtë taksë.
Po të shikojmë të dhënat zyrtare të gjeneruara nga Bashkia e Tiranës, që nga viti 2012, vihet re një rritje progresive e taksës së pasurisë që paguajnë bizneset, ndërsa gjatë viteve 2016 dhe 2017 kjo taksë ka arritur nivelin maksimal të arkëtimit . Konkretisht, nga 457 milion lekë që janë arkëtuar gjatë 2012- ës, për 10-mujorin vitit 2017, janë arkëtuar 1,4 miliardë lekë. Taksa e pasurisë është ndër burimet më me peshë në buxhetin e Bashkisë së Tiranës dhe përbën 18% të totalit të të ardhurave të veta.
Me ndryshimet e fundit ligjore, të cilat marrin efekte nga data 1 Prill e vitit 2018, taksa e ndërtesës do të marrë një tjetër vlerësim, duke u mbështetur tek vlera e banesave dhe % e caktuar për masën e taksës si për banesat dhe objektet e biznesit. Konkretisht shkalla e taksës e cila aplikohet si përqindje e bazës së taksës për ndërtesat që përdoren dhe shfrytëzohen për veprimtari ekonomike do të jetë në masën e 0.2 për qind.
Për këtë qëllim, në bashkëpunim me institucionet qendrore por jo vetëm, ka filluar ngritja e bazës së të dhënave për krijimin e kadastrës fiskale si informacion vendimtar për përllogaritjen dhe mbledhjen e të ardhurave.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.