Taksa e ndërtesës te OSHEE – 4% komision, Bashkitë: Shkelje e ligjit, duhet ta caktojnë Këshillat Bashkiakë
Caktimi nga qeveria i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike si agjent për mbledhjen e taksës së ndërtesës është ndërhyrje flagrante dhe e hapur ndaj pushtetit vendor”. Ky është qëndrimi i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë pas projektvendimit të Këshillit të Ministrave, i cili autorizon pikërisht OSHEE-në për mbledhjen e kësaj takse.
Sipas shoqatës, ‘projektvendimi i paligjshëm i qeverisë parashikon që OSHEE të mbledhë taksës e ndërtesës kundrejt një komisioni prej 4% të shumës së mbledhur”, çka është në kundërshtim të hapur me Ligjin për Vetëqeverisjen Vendore dhe me ligjin për sistemin e taksave vendore, ku thuhet shprehimisht se “është e drejta e bashkisë të përcaktojë mënyrën e mbledhjes së taksës, përfshirë zgjedhjen e agjentit fiskal dhe detyrimet e ndërsjellta”.
Nga ana tjetër, Shoqata e Bashkive thekson se ndërhyrja e qeverisë me një agjent tatimor të varur prej saj është provuar si e dështuar, pasi në rastin kur Drejtoritë Rajonale Tatimore u caktuan nga qeveria për mbledhjen e një takse vendore si ajo e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin të biznesit të vogël, të ardhurat e bashkive u reduktuan ndjeshëm dhe sistemi i llogaritjes së parave të mbledhura, u fut në kaos.
Nisur nga këto argumentime, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë kërkon tërheqjen e qeverisë nga nisma antiligjore, që cenon rëndë autonominë vendore dhe kërkon që të jenë bashkitë ato që do të vendosin sesi do të mblidhet taksa e ndërtesës. Për këtë arsye i është dërguar edhe një letër ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj ku i rekomandojnë që agjenti që do të bëjë mbledhjen e taksë të caktohet nga Këshillat Bashkiakë, ndërsa komisioni i mbledhjes së saj të caktohet mes palëve, duke mos përjashtuar mundësinë e përzgjedhjes së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.