Taksa e re e pronës, Preçi: Mënyra e vjeljes, antiekonomike
Edhe pse nuk ka përfunduar ende kadastra fiskale, nga data 1 prill, ka nisur zyrtarisht aplikimi i taksës së pronës dhe çdo konsumatori do t’i shkojë detyrimi mujor përmes faturës së dritave apo të ujit.
Ekspertët e ekonomisë kanë kritika të forta sa i përket aplikimit të kësaj takse, pa qenë gati infrastruktura, ndërsa vlerësojnë se do të rëndojë më së shumti më të varfrit, pasi hotelet me 5 yje nuk do të paguajnë.
Një problem tjetër i taksës së pronës ka të bëjë dhe me mënyrën e vjeljes së saj. Qeveria nuk ka një mekanizëm të qartë rimbursimi, për kategoritë që përjashtohen nga taksa e pronës, siç janë pensionistët, personat me ndihmë ekonomike, familjet me kryefamiljare femër, apo kategori të tjera vulnerabël.
Preçi propozon ndër të tjera, se duhej bërë një diferencim i taksës për shtëpitë e para.
Më herët, përfaqësues të opozitës në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave kanë theksuar se pushteti vendor nuk është gati për vjeljen e kësaj takse dhe mungon databasa e plotë, duke qenë se 200 mijë banesa janë në proces legalizimi, gjë që sipas tyre mund të krijojë hapësira të mëdha për abuzim.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.