Taksat që ndryshojnë në 2019 – Zbardhet drafti i plotë i paketës fiskale, kush përfiton
Edhe pse konsultimet me biznesin nuk janë mbyllur ende, Ministria e Financave ka gati një draft të kopsitur të paketës fiskale për vitin 2019. Televizioni SCAN ka arritur të sigurojë një kopje të dokumentit i cili pritet të jetë përfundimtar.
Ndryshimi më i qenësishëm është ulja e tatimit mbi dividendin në nivelin 8% nga 15% që është aktualisht. Sipas kësaj pakete aplikimi i këtij niveli të ri do të vlejë dhe për fitimet e pashpërndara të vitit 2017.
Ndryshim tjetër i rëndësishëm është rritja e fashës së personave që u tatohen të ardhurat me 13% nga 130 mijë lekë në nivelin e ri të 150 mijë lekë. Sipas relacionit të ministrisë ky ndryshim do të prekë 15400 individë.
Me tej paketa e re fiskale propozon dhe uljen e TVSH në 10 për qind për transportin publik në ato automjete që kanë kapacitet mbi 10 persona. Si dhe parashikon ulje në 6% të furnizimit të shërbimit të reklamave në media audiovizive.
Gjithashtu paketa përmban edhe ndryshime të tjera në nivelin e akcizës për duhanin ku propozohet rritje në masën 6000 lekë/kg nga 4400 lekë/kg që është aktualisht.
Për tarifat doganore propozohet unifikim në masën 10%, për të gjitha kodet tetëshifrorë të kategorisë 8418 (njësi frigoriferike) të NKM, me qëllim krijimin e një konkurrence të drejtë dhe të ndershme, për të gjithë importuesit që operojnë në këtë veprimtari.
Ndërkaq, Një propozim i rëndësishëm ka të bëjë me zgjerimin e bazës së tatimit në vend.
Ndryshimet e propozuara synojnë që të ardhurat e realizuara nga shitja e drejtpërdrejtë apo e tërthortë e aseteve/të drejtave nga zotëruesit e tyre, pavarësisht kompleksitetit të strukturës së pronësisë, dhe që janë të lidhura me asete /të drejta të vendosura në territorin e Republikës së Shqipërisë, duhet të tatohen në Shqipëri (ashtu sikundër tatohen ndryshimet e pronësisë të drejtpërdrejta brenda territorit të vendit.
Qeveria ka menduar edhe disa ndryshime në ligjin e procedurave tatimore që synon lehtësimin e procedurave tatimore, për tatimpaguesit dhe mbylljen e hapësirave për shmangie tatimore apo evazion, si dhe reduktim të kostove për biznesin.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.