Taksimi i shërbimeve dixhitale – Gentiloni: BE do vazhdojë vetëm nëse bota nuk bie dakord
Bashkimi Europian planifikon të prezantojë një taksë ndaj shërbimeve digjitale pavarësisht mungesës së një dakordësie botërore mbi këtë, sipas komisionerit të ardhshëm të çështjeve ekonomike, Paolo Gentiloni.
“Detyra ime e parë do të jetë mbrojtja e kësaj takse në nivel botëror, për shkak se kjo do të ishte mënyra më efektive. Komisioni do përpiqet të arrijë një dakordësi deri në 2020-ën, por nëse kjo nuk do të jetë e mundur, do të propozohet një taksë në nivel europian”, tha Gentiloni.
Ai shtoi se do të jetë përgjegjës për harmonizimin e taksave korporative në të gjithë vendet anëtare si dhe rishikimin e rregullores aktuale mbi taksimin e energjisë të Bashkimit Europian.
Gentiloni mbrojti gjithashtu politikat monetare të Bankës Qendrore Europiane, por shtoi se nuk do të jenë të mjaftueshme për t’i bërë ballë ngadalësimit ekonomik në Europë. Sipas tij, duhen politika ekonomike dhe buxhetore që synojnë nxitjen e Produktit të Brendshëm Bruto.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.