TAP, 9 milionë euro për ambulanca e borëpastruese në Greqinë Veriore
Gazsjellësi Trans-Adriatik do të dhurojë rreth 92 automjete shërbimi për komunitetet lokale në të tre prefekturat e Greqisë Veriore, në të cilat kalon gazsjellësi. Kjo iniciativë është pjesë e programit të investimit në shoqëri dhe mjedis, për të cilën TAP ka vendosur një fond prej 32 milionë eurosh.
Përmes shumës së 9 milionë eurove, TAP në bashkëpunim me qeverinë greke do të blejnë:
- 33 ambulanca
- 22 kamionë pastrimi
- 17 automjete pyjore
- 14 borëpastruese
- dhe 6 automjete për mbrojtjen civile
Njoftimi u bë nga vetë kompania gjatë një konference për shtyp, ku merrnin pjesë krerët e tre prefekturave greke, si edhe presidenti i Qendrës Kombëtare të Emergjencave Civile.
Programi i TAP është implementuar në bashkëpunim me administratën lokale, me këtë të fundit që dërgonte kërkesa pranë TAP.
Tre përfaqësuesit e Maqedonisë Qendrore, Maqedonisë Perëndimore dhe Maqedonisë Lindore e Trakës falenderuan TAP për standardin që vendos në përgjegjësinë sociale të korporatave dhe për donacionin që do të përmirësojë menaxhimin e mjedisit në Greqinë Veriore, dhe që do të përmirësojë cilësinë e jetës të banorëve të saj.
Përmes programeve të ngjashme të përgjegjësisë sociale, TAP ka investuar edhe në vendin tonë, duke ndërtuar ura, segmente rrugore dhe një sërë projektesh të tjera. I fundit ishte inaugurimi i dy ballkoneve mbi Kanionin e Osumit, nga ku mund të shihet panorama.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.