“Tap” do ulë çmimet e gazit – Drejtori për Italinë: Është logjikë e thjeshtë ekonomike
Gazsjellësi Trans-Adriatik do të ketë impakt edhe në uljen e çmimeve të gazit, deklaroi drejtuesi i projektit për Italinë, Michele Elia, për Trend. Sipas tij, ky është një ligj i thjeshtë ekonomik.
“Nëse ka vetëm një shitës domatesh në treg, do të jetë ai që do të vendosë çmimin, por nëse vjen një tjetër shitës, atëherë çmimet do të jenë më të konkurrueshme, dhe kjo është gjë e mirë për konsumatorin”-nënvizoi Elia.
Ndër të tjera, kreu i projektit për Italinë, shtoi se, ky është një ndër projektet më të mëdha infrastrukturore në botë.
“Projekti është përfunduar tashmë në masën 80%”, shtoi Elia, duke nënvizuar edhe faktin se ka ndikuar në krijimin e vendeve të reja të punës, dhe rritjen e investimeve nëpër vendet ku kalon. Sipas tij, ndryshe nga projektet e tjera infrastrukturore, Tap do të jetë thuajse i padukshëm, si dhe do të ketë një impakt minimal në territor.
Projekti 4.5 miliardë dollarësh pritet të përfundojë në vitin 2020. Ecuria e projektit është në linjë me parashikimet dhe duket se ky afat do të respektohet.
Në lidhje me vënien në punë të gazsjellësit brenda vitit 2020 kanë bërë apel vazhdimisht, si Brukseli zyrtar ashtu edhe Washingtoni, duke qenë se projekti ka një rëndësi të veçantë gjeostrategjike.
Këtë javë ka nisur punën edhe seksioni detar në Shqipëri, nga ku do të bëhet lidhja e tubacioneve me Italinë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.