TAP investon 567 mijë euro për shkollën në Roskovec – Rama: Meritë e negociatave tona me gazsjellësin
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri ishte sot në fshatin Strumë të Roskovecit, ku mori pjesë në ceremoninë e përurimit të shkollës “7 Dëshmorët”, e rikonstruktuar me investimin e Gazsjellësit TAP. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të kompanisë dhe nga Bashkia e Roskovecit.
Investimi me vlerë 567 mijë euro ndihmon 290 nxënësit e kësaj shkolle të zhvillojnë mësimin në kushte shumë të mira dhe me masa sigurie shumë më të larta.
Kryeministri Rama tha se ky investim si dhe vepra të tjera infrastrukturore në shërbim të komuniteteve ku kalon gazsjellësi janë rezultat i negociatave të çelura nga qeveria. Kryeministri u shpreh gjithashtu se do të ketë një program tjetër për transformimin e mëtejshëm të shkollave.
“Kjo shkollë edhe një sërë shkollash të tjera, si dhe të tjera vepra infrastrukturore në shërbim të komuniteteve ku kalon gazsjellësi janë rezultat i negociatave të çelura prej nesh, pasi ishte firmosur kontrata nga qeveria e mëparshme, ku kishim trashëguar vetëm 6 milionë euro në formë kontributesh të kompanisë për komunitetin dhe arritëm me negocime jo edhe aq të lehta, por në fund të suksesshme dhe të mirëkuptuara edhe nga pala tjetër ta rrisim këtë fond në mbi 30 milionë”, tha Rama.
Gjatë kësaj ceremonie Drejtori i Përgjithshëm i TAP, Luca Shieppati u shpreh se: “Është vërtetë një nder, një kënaqësi që kemi kontribuar në rikonstruksionin e kësaj shkolle. Ne mendojmë që edukimi i të rinjve është thelbësor. Për ne, të jesh këtu, me këtë infrastrukturë, do të thotë të jesh pranë njerëzve, pranë komunitetit.”
Investimi i TAP për këtë shkollë përfshin rikonstruksionin e plotë të ambienteve të brendshme dhe të jashtme të godinës. Nxënësit tashmë kanë edhe një oborr të transformuar në një park të madh rekreativ duke përfshirë lulishte dhe kënde sportive.
Duke synuar krijimin e një standardi të ri përsa i përket sigurisë, TAP e ka pajisur edhe shkollën e Strumës me sistem alarmi për zjarrin dhe shkallë për dalje emergjence.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.