TAP mbush 1 vit – Ecuria e punimeve dhe buxheti, sipas parashikimeve
Të mërkurën shënohet përvjetori i parë i fillimit të ndërtimit të Gazsjellësit Trans Adriatik, një nga projektet më të mëdha dhe strategjike që do të transportojë gazin natyror nga Azerbajxhani në Evropë.
Sipas një njoftimi të zyrës së shtypit të këtij konsorciumi, veprimtaritë në secilin nga tre vendet ku kalon gazsjellësi, po zbatohen brenda afateve dhe brenda buxhetit. Përgjatë këtyre 12 muajve, është bërë një progres i konsiderueshëm për sa i përket realizimit të objektivave.
Kontraktorët e TAP kanë pastruar dhe sistemuar afërsisht 49% të gjurmës së projektit në Greqi dhe Shqipëri. Gjithashtu, 22.6% e tubave të salduara janë futur tashmë në tokë dhe janë mbuluar.
Drejtori i Përgjithshëm i TAP-it, Ian Bradshaw shprehet i kënaqur me performancën e projektit. Për sa i përket ecurisë së përgjithshme të projektit, është përfunduar rreth 41% e tij, përfshirë këtu pjesën e inxhinierisë, prokurimit dhe ndërtimit.
Edhe për 12 muajt e ardhshëm, TAP ka një program tepër ambicioz dhe planifikon të përfundojë pastrimin dhe nivelimin e të gjithë gjurmës në Greqi dhe Shqipëri dhe të ketë futur në tokë rreth 67% të tubave të salduar.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.