TAP përfundon mikrotunelin në Çorovodë – Kompania: Terreni sfidues, shmang ndikimin në mjedis
Kompania e gazsjellësit Trans-Adriatik njoftoi mbylljen e punimeve të mikrotunelit në Çorovodë me gjatësi 1.5 kilometra. Hapja e tij nisi rreth 6 muaj më parë, ndërkohë që terreni i vështirë malor u tregua mjaft sfidues për shkak të thyerjeve të shumta, lartësisë deri në 2’100 metra mbi nivelin e detit dhe vetë përbërjes gjeologjike.
Kontraktori i TAP, Spiecapag, dhe nënkontraktori i TAP, Bessac, arritën ta përmbyllnin ndërtimin e mikro-tunelit brenda afateve të parashikuara dhe me një nivel të lartë saktësie. Për realizimin e kësaj vepre inxhinierike sfiduese kanë punuar me turne ditë e natë mbi 50 punëtorë.
Mikro-tuneli u ndërtua duke përdorur teknologjinë më të fundit që garanton sigurinë teknike në punë dhe ndikim minimal mbi mjedisin. Ai ka një diametër 1.8 metra dhe shmang kalimin e tubacionit të TAP përmes luginës së Osumit dhe kryqëzimin me një rrugë të sapo-ndërtuar, duke pasur efekte minimale në komunitet.
Makineria e teknologjisë së fundit që u përdor në këtë proces mori në mënyrë simbolike emrin “Karl Gega”, në nder të një prej inxhinierëve më të njohur në infrastrukturën e transportit në Evropë.
Ky ndërtim shënon një prej arritjeve kryesore teknologjike për TAP në Shqipëri.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.