TAP-TANAP, përfundon me sukses lidhja e gazsjellësve
Ka përfunduar me sukses lidhja e dy gazsjellësve, TAP dhe TANAP, e quajtur ndryshe edhe si ‘bashkimi i artë’. Lajmin e ka bërë të ditur vetë konsorciumi, i cili e ka cilësuar bashkimin e tyre një moment shumë të rëndësishëm për projektin e Korridorit Jugor të Gazit.
“Kjo shënon një tjetër moment të rëndësishëm në përfundimin e Korridorit Jugor të Gazit (SÇ), një rrugë e re energjie, e cila do të rrisë sigurinë energjitike dhe diversifikimin e furnizimit me energji duke sjellë gaz natyror nga fusha Shah Dezin 2 në Detin Kaspik për Turqinë dhe më pas për tregjet europiane”, tha konsorciumi.
Sipas konsorciumit,’bashkimi i artë’ u mbikëqyr nga përfaqësuesit e të dy gazsjellësve në kufirin turko-grek.
Ndërkohë, Drejtori Menaxhues i TAP, Luca Schieppati , tha se ky është një sinjal që projektet po shkojnë drejt përfundimit brenda afatit të përcaktuar.
“Jam shumë i kënaqur që një hap tjetër historik është marrë këtë muaj. Lidhja e TAP me TANAP sinjalizon se po shkojmë drejt përfundimit të Korridorit Jugor të Gazit dhe do të japim gaz në Europë, sipas afatit tonë në vitin 2020”, tha Schieppati.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.