TAP trajnon dhe punëson në Shqipëri inspektorë për saldime tubacionesh gazi
Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) ka organizuar një trajnim 4 ditor për inspektor saldimesh për tubacionet e gazit në Shqipëri. Në trajnim morën pjesë 12 persona shqiptarë, të cilën janë pajisur me certifikatë si inspektorë saldimesh për tubacione dhe do të nisin punën në TAP.
Trajnimi u organizua nga një prej kompanive më me përvojë në këtë sektor siç është “Bureu Veritas”, një lider botëror në testimin, inspektimin, certifikimin dhe trajnimet industriale.
Richard Yves Anstey, Menaxher i Ndërtimit të Tubacionit të TAP në Shqipëri shprehet se: “Ne do të vijojmë të angazhojmë ekspertë vendas në çdo fazë të ndërtimit të gazsjellësit. Ky trajnim shërben për të zhvilluar njohuritë e profesionistëve vendas në kontrollin e cilësisë së saldimeve.”
“TAP na ka krijuar një mundësi të dyfishtë të cilën e vlerësojmë shumë. Përveç trajnimit të mirëfilltë, na u ofrua edhe punësimi. Trajnimi dhe përvoja në punë që po na ofrohet pasurojnë profilin tonë profesional për mundësi të tjera punësimi në të ardhmen edhe jashtë Shqipërisë”, tha pjesëmarrësja në trajnim Diana Xhafa.
Aktualisht pranë TAP punojnë më shumë se 2,800 persona dhe afërsisht 84% e tyre janë shqiptarë.
TAP-i do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Denizit II, Azerbajxhan, në Evropë. Tubacioni, i gjatë 878 km, do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP), në kufirin turko-grek në Kipoi, do të kalojë përmes Greqisë, Shqipërisë dhe detit Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë së Jugut.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.