Targat e makinave – DPSHTRR: Risi simpatike për qejflinjtë e timonit!
DPSHTRR njofton risitë e reja për përmasat e targave të makinave me hapësirë të kufizuar që do të nisin që nga viti 2022.
Sipas njoftimit do të ketë tashmë për herë të parë targë me dimensione më të vogla, për përpara, për automjetet që kanë kufizim hapësire e cila do të ketë dimensionet 360 x 100 mm dhe shërbimi do të jetë me tarifë ekstra!
Gjithashtu DPSHTRR bën me dije se tashmë mund të krijohet një targë e personalizuar, deri me 7 karaktere (numra ose gërma) e cila për herë të parë do të jetë edhe e transferueshme nga mjeti në mjet (mbartja do të vlejë edhe për targat me përzgjedhje) i cili gjithashtu do të jetë me tarifa ekstra!
Në njoftim shkruhet gjithashtu se:
– Për herë të parë do të kemi format targe amerikane, për automjetet që nuk kanë hapësirën e duhur për formatin standard, zakonisht për targën e pasme, me përmasa 305 x 153 mm, kundrejt tarifës ekstra!
– Për herë të parë targat e motoçikletave do të jenë në formatin e ri 177 x 177 mm për t’u përshtatur me hapësirën standard të prodhuesit për motomjetet me tarifat e njëjta me sot!
– Shpejtohet kompletimi i flotës shqiptare të mjeteve rrugore me targën standard të modelit aktual. Çdo mjet rrugor i pajisur me targa para datës 01.03.2010 (me targa modeli i vjetër), që paraqitet pranë zyrave të DPSHTRR për të marrë një shërbim që lidhet me mjetin, duhet të ndryshojë targat e mjetit rrugor në targa të modelit të ri)!
DPSHTRR informon se të gjitha risitë vlejnë për të gjitha kategoritë e mjeteve rrugore civile.
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.