Tarifa për Durrës-Kukës, Konfindustria propozon diskutime mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës
Konfindustria vlerëson se një strategji e re e mirëmbajtjes dhe përmirësimit të Rrugës së Kombit, duhet të diskutohet dhe vendoset bashkërisht sa më shpejt nga qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës.
“Rruga e Kombit, përfshi edhe pjesën e Kosovës është me vlera jetike të shumëfishta për shqiptarët. Rruga është ndërtuar me kosto mbi 2 miliard euro nga shqiptarët e dy anëve të kufirit dhe duhet të menaxhohet si një pasuri e vetme nga Tirana, Durrësi deri në Prishtinë e më tej në korridoret europiane. Zgjidhjet e njëanshme dhe që nuk parashikojnë të gjithë ndikimet ekonomike, politike, shoqërore në shkallë vendi dhe krahine, rrezikojnë të ulin ndjeshëm vlerën strategjike të investimit dhe të prodhojnë pasoja të rënda për biznesin dhe qytetarët, përfshi edhe ngjarje të papranueshme sikurse ato të Tunelit të Kalimashit” deklaron administratori i Konfidustrias, Gjergj Buxhuku.
Në fund të deklaratës, konfindustria vlerëson se vetëm vendimi i përbashkët i Shqipërisë dhe Kosovës për mënyrën e menaxhimit të Rrugës së Kombit, krijon kushtet bazë për uljen e kostove të mirëmbajtjes, kryerjen e investimeve të munguara e rritjen e efektivitetit ekonomik të shfrytëzimit të saj.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.