Tarifat e përmbarimit – Nisma e Vienës: Pengojnë ekzekutimin e kredive
Rritja e tarifave përmbarimore po bëhet një pengesë për ekzekutimin e kolateralit dhe për uljen e kredive me probleme. Monitoruesi i kredive me probleme për vendet e Europës Juglindore, publikim periodik i Nismës së Vienës, vë në dukje se udhëzimi i qershorit të këtij viti për tarifat përmbarimore rrit me më shumë se dy herë tarifat përmbarimore fikse.
Sipas dokumentit, udhëzimi i mesit të këtij viti nuk reflekton frymën e ndryshimeve ligjore, që duhet t’i stimulonte përmbaruesit përmes tarifës së suksesit, në mënyrë për të rritur interesin e tyre në finalizmin me sukses të procesit të ekzekutimit. Pas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, edhe palët e tjera pjesëmarrëse në nismën e Vienës, si Komisioni Europian, Banka Europiane e Investimeve apo Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, shprehen hapur kundër tarifave të rritura të shërbimit përmbarimor privat.
Këto tarifa janë një barrë për kreditorët dhe pengesë për ekzekutimin e suksesshëm të kolateraleve. Pas miratimit të tarifave të reja, bankat kanë bojkotuar plotësisht përmbaruesit privatë, deri në rishikimin e udhëzimit. Një gjë e tillë iu është premtuar nga Ministri i Financave dhe Kryeministri, megjithatë, sipas burimeve nga sistemi bankar, ndryshimi i udhëzimit po has në rezistencën e ministres së Drejtësisë.
Kreditë me probleme kanë zbritur në 14.8%, në nivelin më të ulët që prej vitit 2011. Megjithatë, sipas institucioneve të specializuara, rritja e tarifave të përmbaruesve mund të bëhet një pengesë serioze për vijimësinë e uljes së kredive të këqija, proces ky jetik për të përmirësuar kreditimin e ekonomisë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.