Tarifat e reja të energjisë/ OSSH ka aplikuar për rritje, bizneset: ”Nuk po bëjmë konsultime me ERE-n”
Bizneset thonë se nuk po kryejnë konsultime me Entin Rregullator të Energjisë, në lidhje me tarfiat e reja të shpërndarjes së energjisë elektrike. Përfaqësues të sektorit prodhues thanë për TV SCAN se Enti Rregullator i Energjisë ka pezulluar konsultimet, duke mos patur një afat të saktë se kur ato do të nisin. Kjo, pavarësisht faktit se brenda muajit shtator, Enti Rregullator i Energjisë do të duhej të niste konsultimet për aplikimin e kryer nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes për tarifat e reja në nivel tensioni.
Ky proces nisi në muajin shkurt, por ai u pezullua për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore , të shpallur si pasojë e COVID- 1. Në vendimin e saj ERE argumentoi se e kishte të pamundur të kryente konsultime me të licencuarit, aplikuesit dhe palët e interesit. Ndërkohë që sipas të njëjtit dokument ky proces nuk mund të shtyhet më shumë se 3 muaj nga përfundimi i gjendjes së fatkeqësisë natyrore, që zyrtarisht u mbyll në datën 23 qershor.
Më konkretisht, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka kërkuar që tarifa e shpërndarjes të shkojë në 3.32 lekë/këh për klientët e lidhur në 35 KV apo 120% më e lartë nga sa është aktualisht. Po ashtu, propozohet që kjo tarifë të shkojë në 4.32 lekë/këh për klientët lidhur në 20 kv apo 10% më shumë nga sa është aktualisht. Kjo do të thotë se, rritja e tarifës së shpërndarjes do të ndikonte në çmimin fundor të energjisë për bizneset e dalë në treg të lirë energjie, pasi çmimi final reflekton edhe tarifën e OSSH-së, si një detyrim për shkak të përdorimit të linjave që normalisht menaxhohen nga ky dikaster. Për këtë arsye, gjatë konsultimeve të zhvilluara në muajin shkurt me grupet e interesit, bizneset argumentuan se kjo tarifë e rritur do të ndikonte në uljen e konkurrueshmërisë jo vetëm në tregun shqiptar, por edhe në drejtim të eksporteve.
Ola Mitre/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.