Tartuf “Made in Albania” – Shqipëria po “mbyt” tregun italian, sipërmarrësit japin alarmin
Shqipëria është e destinuar që të jetë një ndër vendet kryesore të origjinës për produktet kontrabandë drejt fqinjëve, e sidomos drejt Italisë. Nuk bëhet fjalë vetëm për produktet e paligjshme, si narkotikët apo mallrat e falsifikuara, por tashmë edhe për produkte organike të ligjshme. Së fundmi, sipërmarrësit italianë, kryesisht në rajonin e Toskanës në Itali kanë dhënë alarmin se Shqipëria po fut në Itali sasi të mëdha tartufi, duke i tregtuar si produkt vendas, i Toscanës, që është edhe një ndër rajonet më të njohura në botë për kërpudhën e famshme, dhe shumë të shtrenjtë.
Problematika në Itali është e kahershme, por kryesisht nga vendet e Europës lindore, si Ukraina apo Rumania. Tashmë duket se në “lojë” është futur edhe Shqipëria. Duke qenë se, bëhet fjalë për një produkt të rrallë dhe mjaftueshëm të shtrenjtë, disa e kanë vlerësuar si një mundësi ideale për të gjeneruar para, paçka se në kurriz të konkurrencës së ndershme.
Sezoni i gjuetisë për tartufin në Itali sapo ka filluar dhe po ashtu edhe në Shqipëri. Viti i kaluar mund të quhet i dështuar pasi solli 70% më pak se viti paraardhës, gjë që ka sjellë edhe mungesën në treg e për rrjedhojë edhe kërkesën e lartë për tartufin shqiptar, një kilogram i të cilit shitet minimalisht 300 euro.
Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave flasin për vetëm 3.4 kilogramë kërpudha të llojit tartuf të eksportuara nga vendi jonë gjatë vitit të kaluar, dhe 132 kilogram në formë të konservuar, pra të industrializuara. Nga ana tjetër, të dhënat e doganave flasin për 0 importe, që do të thotë se, ose i gjithë konsumi vendas i tartufit është produkt vendi, ose i ardhur kontrabandë nga vendet e tjera pa certifikatë origjine.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.