Task Forca Antikorrupsion – Largime nga puna dhe paralajmërime për punonjësit e DPSHTRR Tiranë e Elbasan
13 masa disiplinore dhe 2 largime nga puna janë marrë nga TaskForca Antikorrupsion pranë Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit Rrugor në Tiranë dhe Elbasan.
DPSHTRR ka publikuar raportin e kontrollit për periudhën 25.10.2018-31.10.2018, ku janë konstatuar edhe shkeljet ligjore dhe administrative në organizimin e testimeve për marrjen e lejeve të drejtimit.
Sipas njoftimit të DPSHTRR-së, dyshohet se gjatë procesit të testimit, janë krijuar situata për të favorizuar të testuarit nga personat përgjegjës të cilët kanë si detyrë të administrojnë procesin për elemente parregullsie të procesit të testimit. Më konkretisht u morën masat:
Për DPSHTRR, Tiranë:
- Largimi nga puna për Përgjegjësin e Sektorit të Testimeve, Dega e Drejtuesve të mjeteve;
• Dhe 5 vërejtje me paralajmërim për largim nga puna për 4 specialistë të testimit, Dega e Drejtuesve të Mjeteve dhe për përgjegjësin e sektorit juridik
Për DPSHTRR, Elbasan:
- Largimi nga puna për Kryetarin e Degës së Drejtuesve të Mjeteve;
• 3 vërejtje me paralajmërim për largim nga puna për 3 specialistë të testimit në Degën e Drejtuesve të Mjeteve;
• 3 masa administrative “Vërejtje”, për drejtorinë rajonale të Elbasanit, kryetaren e degës së financës dhe 1 specialist testimi pranë Degës së Drejtuesve të Mjeteve.
Ndërkohë, krahas këtyre masave ndëshkimore, Task Forca Antikorrupsion ndërmori gjithashtu edhe 7 masa të tjera organizative, që sipas DPSHTRR-së do të shmangin përsëritjen e shkeljeve të konstatuara më sipër.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.