Task – Forca për ujin e pijshëm – Ndërpriten 99 lidhje të paligjshme, vendosen 26 gjoba
Vetëm pak ditë nga nisja e aksionit të Task-Forcës së Bashkisë së Tiranës dhe Ujësjellës Kanalizimeve për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme, situata për furnizimin me ujin e pijshëm është përmirësuar.
Sipas bashkisë së Tiranës, grupet e shpërndara në terren vijuan punën për marrjen e masave për shkak të thatësirës së zgjatur dhe temperaturave të larta, duke verifikuar 1053 raste abuzimi. Në fokus të punës së tyre ishte pikërisht shkëputja e çdo lidhje të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit, si dhe të çdo rasti tjetër të abuzimit me ujin e pijshëm.
Vetëm ditën e mërkurë janë vendosur 211 matës të rinj, duke e çuar në total numrin e matësve të instaluar që nga ditët e para të nisjes së aksionit në 840. Gjithashtu, të mërkurën janë lidhur 83 kontrata të reja, si dhe janë nënshkruar 45 aktmarrëveshje.
Grupet e Task-Forcës, me ndihmën e Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake, Prefekturës dhe stafit teknik të Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, u përqendruan në disa zona si në Yzberishtit, Babrru, Ali Demi, Rr. Kont Urani, Rr. Elbasanit, Rr. e Kosovarëve, zona e Qytetit Studenti dhe ish Parku i Autobusëve, ku gjatë kontrolleve janë identifikuar dhe shkëputur 99 raste të lidhjeve të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit, ku uji i pijshëm përdorej për ujitje. Task-Forca ka vendosur 11 gjoba për familjarë dhe 15 të tjera për biznese të ndryshme. Një pjesë e këtyre rasteve janë referuar në organet ligj zbatuese të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.