Tatimet apel profesionistëve të lirë: Regjistrohuni në TVSH
Individët që nuk janë të punësuar, por ushtrojnë një profesion të lirë, pra kryejnë veprimtari ekonomike, kanë detyrimin të regjistrohen si subjekt tregtar, njofton Drejtoria e përgjithshme Tatimore në faqen e saj zyrtare. Bazuar në dispozitat e Ligjit Nr. 92/2014, ushtruesit e profesioneve të lira, pavarësisht qarkullimit, duhet të regjistrohen si tatimpagues i TVSH-së, edhe pse janë subjekt i regjimit të biznesit të vogël, vazhdon mesazhi.
Gjithashtu sipas DPT, pas kryerjes së regjistrimit, në vijimësi të veprimtarisë ekonomike duhet të respektohen afatet e dorëzimit të listëpagesës, deklaratat e TVSH-së dhe deklarata e tatimit në burim, nëse ushtrohet aktivitet në një ambient të marrë me qira. Çdo tatimpagues, përfshirë edhe personat fizikë që ushtrojnë veprimtari ekonomike në një nga profesionet e lira, janë të detyruar të lëshojnë kuponin tatimor për çdo shitje të realizuar, shkruhet në njoftim.
Personat fizikë ushtrojnë veprimtari ekonomiko-tregtare vetëm pas regjistrimit të tyre, ndaj nëse kanë të njëjtin numër identifikimit personal, duhet të regjistrohen vetëm një herë nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Pra, individi i cili realizon të ardhura, kur bëhet pronar i një pasurie apo kryen pagesa, të cilat janë objekt i tatimit, sipas legjislacionit tatimor, ka detyrimin tatimor për pagesën e taksave dhe tatimeve, mbyll njoftimin DPT.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.