Tatimet-bizneseve turistike: Po korrigjuat vetëdeklarimet në nivele të pranueshme, nuk ju kontrollojmë!
Bizneset në zonat turistike që do të përmirësojnë vetëdeklarimet e tyre në mënyrë vullnetare për qarkullimin dhe pagesën e TVSH-së nuk do të jenë objekt i kontrolleve të plota në vend, i vizitave fiskale, i monitorimit të xhiros së eralizuar apo kontrolleve nga zyra.
Tatimet njoftojnë se objekt i kontrolleve të plota në vend, i vizitave fiskale, i monitorimit në vend i xhiros së realizuar apo i kontrolleve nga zyra do të jenë vetëm tatimpaguesit, të cilët nuk përmirësojnë në nivele të pranueshme vetëdeklarimin e tyre për xhiron dhe për TVSH-në e pagueshme për të gjithë muajt e sezonit turistik.
“Në kuadër të zbatimit të planit të masave për sezonin turistik, Administrata Tatimore, synon të nxisë tatimpaguesit, që operojnë në këto zona, në të gjithë vendin, të përmbushin vullnetarisht detyrimet tatimore. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve shpreh bindjen se mënyra më efektive për ta arritur këtë është nëpërmjet ndërtimit të raporteve të besimit dhe respektit të ndërsjelltë.
Pikërisht për këtë, tatimpaguesve u është bërë ftesë për të përmirësuar vetëdeklarimin e qarkullimit dhe të pagesës së TVSH-së për të gjithë muajt e sezonit turistik, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të gjithë, tatimpaguesve do t’u krijohet mundësia për të negociuar me përfaqësuesit e drejtorive përkatëse rajonale, në lidhje me kërkesën për të përmirësuar nivelin e përmbushjes vullnetare të detyrimeve për TVSH-në” njoftojnë Tatimet.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.