Tatimet paralajmërojnë: Kujdes! Kemi evidentuar bizneset që kanë ulur numrin e kuponëve, janë subjekt hetimi
Administrata tatimore konstaton kohët e fundit se disa tatimpagues kanë ulur ndjeshëm numrin e kuponëve tatimorë të lëshuar. Përmes një komunikimi zyrtar, Tatimet theksojnë se kanë evidentuar tatimpaguesit që kanë ulur numrin e kuponëve, kanë ulur vlerën e kuponit apo nuk kanë respektuar detyrimin për transmetimin e të dhënave elektronike, duke u bërë kështu objekt seleksionimi nga strukturat e zbatimit të hetimit tatimor, raporton SCAN.
“Administrata tatimore ju fton të tregoni kujdes, pasi në çdo rast ku do të konstatohen parregullsi për këtë kategori tatimpaguesish, administrata tatimore do të zbatojë parashikimet e ligjit nr.9920 datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ku përveç aplikimit të detyruar të dënimit adminsitrativ, do të kryejë vlerësime alternative për një periudhë tremujore dhe ndryshimin e përgjegjësive tatimore” shkruhet në njoftimin e tatimeve.
Referuar ligjit për procedurat tatimore, për çdo transaksion shitje me para në dorë tatimpaguesi detyrohet të lëshojë kuponin tatimor prej pajisjes fiskale, të dhënat e së cilës duhet të transmetohen çdo ditë në sistemin e integruar tatimor.
Referuar detyrimit të saj për të siguruar zbatimin me rigorozitet të legjislacionit tatimor në fuqi, administrata tatimore monitoron çdo ditë fluksin e lëshimit të kuponit tatimor, deklarimin e xhiros dhe numrin e transmetimeve për çdo tatimpagues.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.