Të ardhurat mbi planin, “frenojnë” shpenzimet / 5-mujori, realizimi i të ardhurave në 104%, taksat nacionale 5.8% mbi planin
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka publikuar treguesit e performancës fiskale për 5-mujorin e këtij viti. Sa i përket të ardhurave, rezultojnë në 191.6 mld lekë gjatë periudhës, me një masë realizimi prej 104% kundrejt planifikimit. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rritja fiksohet në 31 mld lekë, tregojnë shifrat zyrtare.
Të ardhurat tatimore për 5 mujorin 2021 u realizuan në masën 98.8 miliardë lekë, 12 miliardë ose 13.9% më shumë se 5 mujori i vitit të kaluar, si dhe 1.1 miliardë lekë, ose 1.1% më shumë se plani i 5 mujorit 2021. Brenda këtij zëri, tatimi mbi të ardhurat personale (TAP) është arkëtuar në vlerën 16 miliardë lekë, 2.5 miliardë lekë ose 18.2% më shumë se 5 mujori 2020, si dhe 0.2 miliardë ose 1.1% më pak se plani 5 mujor 2021. Sa i përket taksave nacionale, për periudhën Janar-Maj 2021 u realizuan në masën 14.8 miliardë lekë, 3.2 miliardë lekë ose 27.9% më shumë se 5 mujori 2020, si dhe 0.8 miliardë lekë ose 5.8% më shumë se plani i përcaktuar për 5 mujorin 2021. Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, u realizuan në masën 43.4 miliardë lekë, 5 miliardë lekë ose 13.2% më shumë se 5 mujori 2020, si dhe realizim 103.7% të planit për 5 mujorin 2021.
Sa i përket shpenzimeve ndërkohë fiksohen në rreth 211.9 miliard lekë për periudhën janar-maj 2021, me një realizim në masën 97 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, ky zë ka rezultuar 13% më i lartë ose rreth 24.3 miliardë lekë më shumë.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.