Të ardhurat nga artizanati/Klosi, përpunuesve: Shfrytëzoni lehtësitë fiskale për të rritur ekonominë
Përpunuesit e produkteve shqiptare duhet të shfrytëzojnë lehtësitë fiskale të ligjit të zejtarisë dhe atij për agroturizmin, për të rritur ekonominë e tyre familjare.
Ky ishte apeli i Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi i cili sëbashku me Ministrin Ditmir Bushati vizituan panairin e Artizanatit, të zhvilluar në Velipojë.
Klosi theksoi se artizanati, prodhimet e kulinarisë dhe prodhimet e traditës, janë mundësi e gjerë e punësimit dhe rritjes së të ardhurave brenda industrisë së turizmit.
“Zona e Velipojës, zona e Shëngjinit, gjithë zona në të cilën ne po zhvillojmë këto aktivitete ka shumë për të promovuar, nuk ka vetëm turizmin e detit dhe të rërës, por ka disa pika të cilat në kuadër të projektit të qeverisë shqiptare afrohen si agroturizëm dhe sot këtu janë afruar disa nga këta prodhues. Shikoj me kënaqësi që për turistët e huaj kjo është një surprizë dhe mendoj që do të vazhdojmë me këto aktivitete gjatë gjithë zonës turistike të Shkodrës”, tha Klosi.
Ministri Bushati vlerësoi organizimin për herë të parë të këtij panairi duke u shprehur se është detyra e të gjithë aktorëve që ta shndërrojnë këtë aktivitet në një traditë për të promovuar zonën dhe vlerat e saj.
“Është detyra jonë për ta kthyer këtë në një traditë të madhe dhe është detyra jonë për ta pozicionuar Velipojën por edhe pjesën rreth e përqark, grykëderdhjen e Bunës, pjesën e Shëngjinit dhe të gjitha perlat ndërmjet këtyre dy plazheve masive në pika që frekuentohen nga pushuesit. Thirrje e veçantë është për vëllezërit dhe motrat që vijnë nga Kosova. Për ta, mikpritja, në Velipojë, është gjithnjë speciale, ndaj i bëj thirrje që të vijnë sa më shumë këtu e të kalojnë pushimet me ne.”- tha ministri Bushati.
Dy ministrat vizituan stendat e paraqitjes dhe tregtimit të produkteve të zonës ku gjendeshin punime me motive popullore, verërat më të njohura të zonës si edhe gatime të ndryshme.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.